Home KRYESORE Incident i rëndë pranë selisë së BDI, 1 i vrarë. Mes të...

Incident i rëndë pranë selisë së BDI, 1 i vrarë. Mes të arrestuarve një shqiptar

Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën të enjten në mbrëmje në Reçicë të Vogël të Tetovës në afërsi të selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim. Policia njofton se ka ndaluar dy persona të dyshuar për sulmin me armë zjarri, ku sipas medias vendase njëri është me pasaportë shqiptare.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë deklaroi: “Sot rreth 18:20 orë është raportuar për të shtëna me armë zjarri në Reçicë e Vogël. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku. Nga Spitali Klinik i Tetovës, është raportuar se tek ata janë dërguar dy persona që ishin me plagë të qëlluar me armë zjarri, njëri prej të cilavë kishte vdekur. Dy vetë u arrestuan”. Të arrestuarit janë me iniciale B.R. nga Kumanova dhe L.B. shtetas i Shqipërisë.

Personi që mbeti i vdekur nga të shtënat është Naip Rexhepi (Bellanoca) nga Kumanova.

Mediat thonëse personat e përfshirë në ngjarje janë aktivistë të BDI-së, por partia shqiptare në pushtet i hodhi poshtë këtë. BDI-ja përmes një komunikate thotë: “Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot, sikurse edhe çdo ditë tjetër, ka vazhduar me aktivitetet e saj të zakonshme. Përgenjeshtrojmë çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka pasur përleshje apo incident. Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”. Në orët në vijim pritet të zbardhen të tjera detaje rreth ngjarjes së rëndë.
/Opinion.al

Share: