Home I pakategorizuar Kush janë tre deputetët e LSI-së që ikin me Ramën?

Kush janë tre deputetët e LSI-së që ikin me Ramën?

Sot Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar një kërkesë kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga seanca parlamentare e ditës së nesërme.

Sipas kësaj force politike, Rama ka pasur një sjellje të pahishme gjatë seancës së fundit dhe për këtë duhet ndëshkuar.

Por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të paktën tre deputetë të kësaj force politike.

Mësohet se tre deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Nasip Naço nuk kanë pranuar të firmosin kërkesën për dënimin e kryeministrit Rama.

Ndërkohë ditën e djeshme është shënuar një tjetër përçarje në LSI, pasi dy deputetë thyen urdhërin e Kryemadhit për të bojkotuar komisionet parlamentare.

Deputetët e LSI-së, Edmond Haxhinasto dhe Robert Bitri, nuk i janë përgjigjur thirrjes për mosbindje politike, pasi sipas tyre një gjë e tillë përbën një akt ekstrem.

Ndryshe nga deputetët e tjerë, Edmond Haxhinasto nuk e ka bojkotuar mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, duke injoruar kështu thirrjen e Bashës dhe Kryemadhit.

Një tjetër deputet që ka dalë hapur kundër thirrjeve për mosbindje civile është Robert Bitri.

Bitri në një intervistë televizive është shprehur se “Basha nuk është kryetari i partisë time”, duke lënë të kuptohet qartë se në LSI ka përçarje në lidhje me aksionin e përbashkët opozitar me Lulzim Bashën.

Kujtojmë këtu se një ditë më parë, CNA.al raportoi se 3 deri në 4 deputetë të LSI-së pritet të largohen nga kjo forcë politike dhe ti bashkohen Partisë Socialiste.

Përveç dhjetëra këshilltarëve bashkiakë të cilët i janë bashkuar Partisë Socialiste, LSI-ja po përballet edhe me përplasje dhe largime brenda grupit parlamentar.

Janë këta deputetë të sipërpërmendur apo janë të tjerë deputetë të pakënaqur që do të bashkohen me Edi Ramën, kjo pritet të shikohet në ditët në vijim./ CNA.al

Share: