Home KRYESORE PD nuk ndalet, thirrje prokurorisë: Heto supermilionerin e Ramës, Safet Gjici

PD nuk ndalet, thirrje prokurorisë: Heto supermilionerin e Ramës, Safet Gjici

Partia Demokratike i maksimalizoi sot akuzat ndaj biznesmenit, ish-prefektit, kandidatit për deputet i PS, Safet Gjici, njëherësh president i sportklub “Kukësi”. Ndërsa Gjici ka paralajmëruar se do të padisë për shpifje, Ervin Salianjin, deputeti i PD, doli sërish sot në deklaratë për mediat, duke kërkuar të nisin hetimet nga prokuroria, pasi Gjici ka përfituar miliona euro tendera, pa garë.

Deklarata e plotë

Safet Gjici nuk dha dje asnjë përgjigje përse ka kryer veprën penale të mashtrimit me tenderat publike, por kërcënoi me drejtësinë e re të Edi Ramës, i cili e ka bërë supermilioner me paratë e shqiptarëve.

Dokumentat e paraqitura nga Partia Demokratike tregojnë qartë se tenderat janë fiktive, se në tender merr pjesë vetëm Gjici, me dy kompanitë e tij kundër njëra- tjetrës dhe fiton njëra prej tyre, pra fiton Gjici.

Dy kompanitë, me të cilat drejtuesi politik i Ramës në Kukës thotë se nuk ka lidhje, quhen:

1. EUROGJICI SECURITY shpk dhe ka përfituar 250 tendera, me vlerë 21.3 mln dollarë, nga të cilat 143 pa garë me vlerë 3 milion dollarë dhe aktualisht është e vëllait të tij

2. TONI SECURITY shpk, ka përfituar 65 tendera, me vlerë 3.8 mln dollarë, nga të cilat 28 pa garë, me vlerë 709 mijë dollarë. Toni është emri i djalit të Safet Gjicit.

Këto dy kompani, që “konkurojnë” fiktivisht kundër njëra-tjetrës, kanë të njëjtën adresë fizike, të njëjtën adresë e-mail-i. Nga ekstraktet historike vërtetohet se, të dyja shoqëritë zotërohen nga i njëjti person (Gjici), pasi:

1. Adresa fizike e selisë është e njëjtë, konkretisht: Rruga “Adem Jashari”, Njesia Bashkiake nr.5, Lagjja nr.8, hyrja nr.10, apartamenti nr.3, Tiranë (i njëjti apartament)

2. Adresa elektronike është e njëjtë: [email protected]

25.2 milion dollarët e përfituar nga Gjici nëpërmjet dy kompanive të tij, i janë dhënë duke prishur garën në tendera, duke falsifikuar dokumenta zyrtarë dhe duke i shkaktuar shtetit dëme me miliona Euro. Shkeljet janë të faktuara nga dokumentat e publikuara nga ne, dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimin për të çuar para përgjegjësisë penale abuzuesit e miliona Eurove.

Edi Rama që po zhvat qytetarët kuksianë për të kaluar “Rrugën e Kombit” dhe nuk ka ndërmend t’i lërë ata të kalojnë falas në rrugën e ndërtuar edhe me taksat e tyre, i tall kuksianët me premtime për abone, ndërsa kuksianit Gjici, me të cilin blen vota për të ruajtur pushtetin, i jep 25.2 milionë dollarë.

Skema e përdorur nga Gjici në mashtrim të plotë të ligjit, përbën vepër penale për të cilën prokuroria duhet të nisë hetim të plotë.

Krijimi i kompanive fiktive, prishja e barazisë në tendera, falsifikiki i garës si mbulesë që Gjici të konkurojë me veten e të përfitojë miliona dollar, janë shkelje që meritojne hetim te plote per Gjicin dhe pronarin e tij Rama.

Deklarata e djeshme Gjicit për Salianjin

Duke i cilësuar të gjitha akuzat e deputetit demokrat si shpifje, Gjici thotë se ka hequr dorë nga të gjitha aksionet e kompanive të tij, që në kohën kur u zgjodh prefekt i Kukësit.

“Me teorinë ‘shpif, shpif se diçka do mbetet’, Salianji sot doli dhe gënjeu shqiptarët. I gënjeu, se gjoja unë paskam fituar tendera ‘marramendës’! Ervin, je i gabuar! Që në kohën kur u emërova prefekt i Qarkut Kukës, në vitin 2014, nuk menaxhoj më asnjë kompani. Kjo dihet botërisht, por ti dhe ata që të nxorën sot nuk dinë apo duan të shohin! Kjo është e vërteta”, sqaron Gjici.

Sipas të deleguarit të PS në Qarkun e Kukësit, kompania që ai ka drejtuar, ka marrë më shumë tendera gjatë qeverisjes së PD.

“Për shpifjen tënde të radhës, që në fakt është e përhershmja përpara çdo beteje elektorale, do të takohemi në Gjykatë, aty ku e vërteta do triumfojë. Sa u përket tenderave, kompanitë që unë drejtoja dikur, kanë përfituar me konkurrim të ndershëm më shumë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Kjo është lehtësisht e verifikueshme në buletinet publike. Mjafton t’i shohësh! Për ‘faktet’ që sot paraqite, do shihemi në gjyq, pasi për këtë shpifje të radhës nuk do të ndalem”, deklaron Gjici./Opinion.al

Share: