Home KRYESORE Shqiptarët të dytët në botë për marrjen e nënshtetësive në vendet e...

Shqiptarët të dytët në botë për marrjen e nënshtetësive në vendet e BE-së

Shqiptarët po kërkojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm të largohen nga vendi, por edhe të bëhen qytetarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian dhe po ia arrijnë këtë me ritme shumë më të larta sesa shtete të tjera europiane jo anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera në botë, që kanë një popullsi shumë më të madhe sesa ne.

Sipas të dhënave të Eurostat, të publikuara sot, shqiptarët janë të dytët në botë, pas marokenëve, që kanë arritur të marrin nënshtetësinë e BE-së në vitin 2016.

Janë 67,500 shqiptarë që kanë marrë shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2016, ku 97% e tyre kanë marrë nënshtetësinë e Italisë, ose Greqisë. (54.7% kanë marrë nënshtetësi italiane,42.3% greke dhe 0.8% belge).

Shqiptarët në Itali zënë vendin e parë edhe në krahasim me shtetet e tjera, pasi ata kanë arritur të marrin 18.3% të të gjithë pasaportave që shteti fqinj ka dhënë për të huajt, ndërsa në vend të dytë ishte Maroku, me 17.5% dhe rumunët me 6.4%.

Ata mbizotërojnë dukshëm edhe në Greqi, ku 86% e pasaportave janë dhënë për shqiptarët, 1.5% pë ukrainasit dhe 1.2% për rusët, sipas të dhënave të Eurostat.

Sipas Eurostat, në vitin 2016, rreth 995,000 persona kanë fituar shtetësinë në një Shtet Anëtar të Bashkimit Europian (BE), nga 841,000 në vitin 2015 dhe 889,000 në vitin 2014. Nga numri i përgjithshëm i personave që fitojnë shtetësinë në një prej Shteteve Anëtare të BE në 2016, 12% ishin ish-shtetas të një shteti tjetër anëtar të BE-së, ndërsa shumica ishin nuk ishin shtetas të BE, ose ishin pa shtetësi.

Grupi më i madh që fiton shtetësinë në një shtet anëtar të BE, ku jetonin në vitin 2016, ishin shtetasit e Marokut (101, 300 persona, 89% prej të cilëve kanë marrë shtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës), duke u renditur përpara qytetarëve të Shqipërisë (me 67,500), India me 41,700, më shumë se 60% kanë marrë shtetësi britanike, Turqia (32,800, pothuajse gjysma e fituar shtetësinë gjermane), Rumania (29,700, 44% kanë fituar shtetësinë italiane) dhe Ukraina (24,000, 60% kanë marrë shtetësinë e Gjermanisë, Rumanisë, Portugalisë ose Italisë).

Marokët, shqiptarët, indianët, pakistanezët, turqit, rumunët dhe ukrainasit përfaqësonin së bashku rreth një të tretën (33%) të numrit të përgjithshëm të personave që fituan shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2016. Rumunët (29,700 persona) dhe polakët (19,800) ishin dy grupet më të mëdha të shtetasve të BE-së që fituan shtetësinë e një shteti tjetër anëtar të BE-së./Monitor

Share: