Prej më shumë se tre vitesh, Shpresa ushtron aktivitetin e shitjeve me pakicë në rrugën ‘Medar Shtylla’. Në vitrinën e dyqanit, ndryshe nga vitet e tjera, ku njoftonte për mbërritjen e furnizimit për sezonin e ri, ajo lajmëron se po likuidon të gjithë mallin deri në datë 30 prill.
Shpresa (dyqani i së cilës është në foto) tha për ‘Monitor’ se ka vendosur të mbyllë aktivitetin dhe se pas 30 prillit do të jetë pa punë. Si arsye për mbylljen e biznesit dha rënien e fuqisë blerëse, ndërsa vendimin final e kishte marrë pasi ishte futur në skemën e TVSH-së. Sipas saj, me qarkullimin mujor që realizon dhe fitimet që ka nuk ia vlen më që ta mbajë dyqanin hapur, pasi do t’i shtoheshin kostot e mbajtjes së llogarive dhe pagesës së TVSH-së, që sipas llogarive të saj ishin sa një e treta e fitimeve mujore.
Nga 1 prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë.
Monitor kreu një vëzhgim në kryeqytet në datën 3 prill. Disa biznese të rrugës Medar Shtylla janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Saimiri, bashkë me të vëllain, janë vetëpunësuar duke hapur një dyqan të fruta-perimeve me pakicë. Prej 31 marsit, ata kanë filluar që të presin kuponat me 20% TVSH. Edhe pse të paqartë me situatën, ata presin të afrojë data e deklarimit të TVSH-së për të parë se sa do të rëndojë në xhepat e tyre. Me çmimet nuk mund të luajnë dot, duke qenë se në këtë rrugë konkurrenca është e fortë.
Deri para pak ditësh, shumë pranë dyqanit të Saimirit, kishte edhe dy të tjerë që tregtonin fruta-perime. Njëri prej tyre sot e kishte ulur qepenin e dyqanit.
Një tjetër dyqan veshjesh afër Sheshit Willson tha për Monitor se në një muaj, 17 ditë kishte deklaruar zero qarkullim, pasi askush nuk kishte hyrë për të blerë diçka në dyqan. Edhe pse akoma nuk është përfshirë në skemën e TVSH-së, Eva, pronare e dyqanit, tha se ka dëgjuar se shumë shpejt do të përfshihen të gjithë bizneset e asaj zone.
Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,500 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, strukturat në terren do të kryejnë vazhdimisht verifikime me qëllim monitorimin e xhiros së tatimpaguesve. Do të përdoren të gjitha mundësitë për shfrytëzimin e informacionit nga palët e treta, si të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Dogana etj. Gjithashtu do të përpunohen të gjitha të dhënat që lidhen me kryqëzimin e librave të Shitjes dhe të Blerjes. Kjo do të thotë që nëse evidentohen tatimpagues, të cilët nga ky kryqëzim kanë blerje mbi 5 milionë lekë, atëherë do të vlerësohen si potencial për t’u futur në skemën e TVSH.
http://www.monitor.al/rrezikojne-te-futen-edhe-60-mije-biznese-ne-tvsh/
Shumë biznese të kontaktuara gjatë vëzhgimit pohuan se ata ende nuk kishin njoftim nëse kishin hyrë në skemë, të tjerë thanë nën zë, se nuk e kalonin xhiron prej 2 milionë lekë në vit, ndërsa pjesa më e madhe ankohen për rënie të shitjeve.
Bizneset e vogla po përjetojnë mbase periudhën më të vështirë me rënien e fuqisë blerëse, por edhe formatimin e ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj tregtar.
Vetëm në tre muajt e parë të vitit (nga 3 janari deri në 30 mars) kanë kaluar në status pasiv 3652 biznese, sipas listës së përditësuar nga tatimet të subjekteve me status pasiv në vend. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të ndjeshme me 45% të subjekteve të mbyllura.
http://www.monitor.al/ne-prag-te-hyrjes-se-tvsh-se-rritet-45-numri-bizneseve-te-mbyllura-ne-tre-muajt-e-pare-te-vitit/
Ndërkohë që pritet që numri i tyre të jetë akoma më i madh pas përfshirjes në skemën e TVSH-së, e cila duket se ka filluar të shënojë “viktimat” e para të biznesit të vogël.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasta, përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së shënon fundin e tyre. Ai tha për “Monitor” se Shoqata, bazuar në sondazhet dhe analizat e saj, parashikon se numri i bizneseve të mbyllura në gjashtëmujorin e parë do të shkojë deri në 50 mijë.
Nasta shton për “Monitor” se vendosja e pragut të TVSH-së do të shtojë korrupsionin dhe evazionin, si dhe do të rrisë përzgjedhjen. Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël, sipas tij, rrit shpenzimet e njësive ekonomike, por edhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve./Marre nga Monitor