Luftën për marrjen e gylenistëve, Turqia nuk do ta mbyllë në Kosovë. Erdogan është duke kërkuar nga Edi Rama, “koka” të konsideruara pranë Fejtulla Gylen edhe në Shqipëri.
“Operacioni i fundit në Kosovë nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them “Turp” – tha Erdogan, ditën kur u deportuan nga Kosova 6 gylenistët.
Në këtë aksion, ndihmë të drejtpërdrejtë kishte dhënë Presidenti, Hashim Thaçi gjë që e konfirmoi edhe vetë Erdogan duke dërguar falënderime për kreun e shtetit të Kosovës.
Televizioni “T7” në Kosovë raporton se Erdogan ka kërkuar shkarkimin e kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj të cilin e konsideron të lidhur me rrjetin e gylenistëve në Ballkan.
Vetë kryetari i KMSH-së, Skender Brucaj ka thënë që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Brucaj është shprehur se Kryetari i KMSH-së, zgjidhet ose shkarkohet vetëm nga instancat brenda institucionit, që janë të shkëputur nga politika dhe qeveria.
Sipas të njëjtave burime, Erdogan ka tentuar edhe më herët të shtjerë në dorë këtë institucion.
“Mësohet se para 8 vitesh kishte një tentativë për puç institucional ndaj kryetarit te atëhershëm të ndjerit Selim Muça, por grupi i mbështetur nga qeveria turke të udhëhequr nga Betim Truçi dhe Ermir Gjinishi (i akuzuari i vetëm për vrasjen e ish-sekretarit te KMSH Sali Tivari) dështuan dhe gjykatat shqiptare u dhanë përgjigjen e duhur” – shkruan T7.
Në vitin 2016 ambasada turke në Tiranë i kishte dërguar një shkresë Ministrisë se Arsimit, që të ndalojë vendosjen e simboleve të Turqisë, dhe flamujt në shkollat në Shqipëri, pasi që ata pretendonin se disa prej atyre shkollave kanë lidhje me Gylenin. Pas kësaj shkrese, simbolet u larguan.
Erdogan kishte urdhëruar Edi Ramën që edhe shkollat e lëvizjes së Gylenit të mbylleshin, por kjo kërkesë u refuzua. E njëjta kërkesë shkoi edhe në Kosovë për Hashim Thacin, Isa Mustafën, Behgjet Pacollin, Enver Hoxhajn e Arsim Bajramin.
Kosova dhe Shqipëria e kthyen mbrapsht kërkesën e Erdoganit me argumentin se për sa kohë janë të licencuara dhe përmbushin standardet, shkollat s’kanë pse të mbyllen.
T7 shkruan se në këto shkolla studiojnë dhe janë diplomuar disa nga fëmijët e ministrave shqiptarë. Sipas të njëjtave burime, vajza e ministres së arsimit Lindita Nikolla, Livia Nikolla ka studiuar në universitetin “Epoka” . Vajza e ish-ministres së integrimit, Majlinda Bregut, Kejda Ajazi e cila ka studiuar tek Turgut Ozal. Në po të njëjtin kolegj, studimet i ka përfunduar edhe vajza e ish zv/kryeministrit tashmë ministrit të bujqësisë, Niko Peleshit, Aleksia Peleshi. Shkollimin në kolegje turke, e bën edhe djali i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Bes Meta. Ky i fundit, studimet është duke i bërë në kolegjin “Turgut Ozal”.
Edhe fëmijët e Arta Markut, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Blendi Klosit ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Taulant Ballës, deputet i PS, dhe Flamur Nokës, deputet i Partisë Demokratike studiojnë në shkollat që pretendohet të kenë lidhje me Gylenin.
Erdogan ka kërkuar edhe mbylljet e disa medreseve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Në listë janë edhe kolegjet turke në Shqipëri si: “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës, Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin “Meridian”, Fondacioni i edukimit “SEMA”, Shkolla në gjuhën angleze, “Memorial International School of Tirana”, Universitetet “Bedër” dhe “EPOKA” dhe qendrat kulturore, “Horizontet e Reja” dhe “Drita Islame”.
360grade.al