Home KRYESORE Antishqiptarë jeni ju! Nga Carlo Alberto Rossi

Antishqiptarë jeni ju! Nga Carlo Alberto Rossi

Jemi të gjithë antishqiptarë?

Në fund të një artikulli të Mero Bazes—në të cilin ai kritikonte ashpër Fatos Lubonjën se kishte shprehur gjykime të gabuara për Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë që sugjeronte çeljen e bisedimeve—në harkun kohor të pak minutave, u shfaqën një lum komentuesish plot urrjetje, tipikë të mediave shoqërore, të cilët i mbushën rreshtat e komenteve me sharje kundër një prej pak figuarve vërtetë të denja e që meriton respekt në mjedisin e shkretuar intelektual shqiptar.

Mes urimeve krejtësisht të papranueshme që ai të kthehej në atë birucën e cila, gjatë komunizmit, i mori vitet më të mira të jetës, mes në një morie sharjesh të pamotivuaram shkruar me gabime gramatike, që vlejnë vetëm për të treguar mjerimin intelektual dhe shoqëror të shumë lexuesve dhe zgjedhësve shqiptar, spikaste në mënyrë të përsëritur gjykimi, në vetvete idiot dhe pa asnjë domethënie logjike, i cili e shpallte Fatos Lubonjën “antishqiptar”.

Dhe ky gjykim, ose akuzë, ose ofendim (i qëllimshëm i shumë komentuesve) u përsërit pak ditë më pas në narrativën e Kryeministrit dhe mercenarëve të tij me tastierë në dorë kundër gjermanit Gunther Krichbaum, mesa duket fajtor pse mendon se Shqipëria nuk është ende e përgatitur për të hapur bisedimet me BE-në—një arritje kjo pa asnjë domethënie praktike për qytetarët shqiptarë, por me vlerë të madhe propagandistike për qeverinë, e cila prej vitesh është e përfshirë në çdo veprim të mundshëm që dëmton interesat dhe jetën e këtyre qytetarëve të thjeshtë.

Ajo që kuptoj unë, që shqiptar i lindur nuk jam, por që ndryshe nga miliona shqiptarë kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri, është se këta urrejtës—që ndihen rojtarë të së vërtetës; që janë verbuar përjetësisht nga problemi atavik i përkatësisë tribale, përpara asaj etnike; që për gjërat që i përkasin klanit të tyre ju vjen të flasin vetëm me terma lëvdues; që, mbi të gjitha, nuk kanë asnjë argument tjetër—kur lexojnë diçka ndryshe nga mendimi i tyre rudimentar, ose, më saktë, ndryshe nga udhëzimet që kanë përvetësuar me vështirësi nga partia, lëshojnë me furi gjykimin, që i ka rrënjët thellë në injorancën e ruajtur në mënyrë të përsosur nga e shkuara komuniste: “antishqiptar”.

Nëse dikush flet për lumin e drogës që rrjedh mespërmes vendit tonë, ai është antishqiptar; nëse dikush flet për turma vajzash shqiptare në rrugët e Evropës, ai është antishqiptar; nëse dikush kundërshton mendimin e shefit, ai është antishqiptar; nëse dikush flet për korrupsion e qeverisë, ai është antishqiptar; nëse dikush pohon se në Shqipëri demokracia dhe shteti kushtetues nuk janë vendosur ende, ai është antishqiptar; nëse dikush pohon se në Shqipëri drejtëia nuk funksionon, ai është antishqiptar; nëse dikush thotë se bujqësia apo industria shqiptare nuk konkuron dot me atë evropiane, ai është antishqiptar; dhe, sigurisht, nëse dikush guxon të thotë se në pjesën më të madhe dhe në bazë të parimeve shoqërore që mbron, shoqëria shqiptarë nuk është ende gati të asimilohet nga ajo evropiane, atëherë ky është një antishqiptar filoserb, dhe nga sot ndoshta edhe filorus, i cili mund, madje duhet të lincohet, të burgoset, të dënohet dhe mundësisht të dëbohet nëse nuk mund të ekzekutohet.

Edhe kur dikush thoshte, në mesin e viteve 90-të, se piramidat financiare nuk mund të funksiononin, ai akuzohej se ishte antishqiptar. Po ashtu nëse dikush shprehej se Shqipëria e Madhe ishtë një koncept i rrezikshëm, apo kur dikush dënonte zjarrin e armëve kundër protestuesve, përsëri ai ishte antishqiptar.

Pra, duke e thjeshtuar, duket se të jesh antishqiptar do të thotë, thjesht, të jesh kundër dëshirës së demagogut apo kryebanditit të radhës, ose, më thjesht akoma, do të thtoë të kesh një mendim tëndin, të pavarur, por që shqetëson atë përrallën që shumë veta duan të dëgjojnë.

Dhe kjo ndodh edhe me pjesën më të madhe të emigranëtve të thjeshtë shqiptarë në Itali apo në Greqi—nëse dikush i kundërshton duke thënë se në Shqipëri dicka nuk po shkon në drejtimin e duhur, të gjithë nevrikosen dhe të akuzojnë se je antishqiptar.

Edhe Kryeministri Rama kohët e fundit i ka qëndruar pohimit se dhëheqësi i opozitës Basha është një antishqiptar, sepse ka marrëdhënie me ata që nuk mendojnë se Shqipëria ëshët gati për të hyrë në bisedime me BE-në, dhe në fakt e ka ftuar të “luajnë me fanellën e duhur, atë kuq e zi”.

Sepse në këto anë, e vërteta është ende urdhëri i shefit, dhe lajmet që nuk përputhen me atë që ka miratuar shefi janë prova se ai që ai që i shpreh është antishqiptar. E vërteta nuk ka lidhje fare—ajo zëvendësohet me mesazhin”proshqiptar”: rënia e dukshme e ekonomise zëvendësohet nga pastrimi i parave, plantacionet e kanabisit nuk ishin të ndaluara, e ndaluar është vetëm të flasësh për to, apo për përfshirjen e policisë në trafikun e drogës, apo për vjedhjet masive fiskale në fushën e naftës, apo për gjithë tenderat që i “fitojnë” ofertuesit më të këqij (pasi janë skuaklifkaur nga tenderi gjtihë të tjerët), apo për reformën e dëshiruar në drejtësi e cila ka arritur vetëm për t’u futur tmerrin gjithë prokurortëve dhe gjyqtarëve duke i detyruar t’i binden urdhërave të qeverisë, sikurse është e ndaluar të flasësh se askush nuk do të bëjë reformë zgjedhore, dhe kush e thotë është antishqiptar.

Atëherë, duhet thënë edhe më qartë.

Nëse të thuash që droga nuk ekziston, korrupsioni nuk ekziston, kriza e investimeve të huaja nuk ekziston, pastrimi i parave të pista nuk ekziston, që të drejtat e njeriut nuk janë shkelur, që policia arreston njerëz për asgjë, ndërsa lë të lirë kriminelë dhe narkotrafikantë, që mijëra familje që kërkojnë azil në Evropë nuk ekzistojnë, ose nëse eksiztojnë nuk ëshët problem—pra, të thuash që në Shqipëri, çdo gjë shkon siç duhet—do të thotë të jesh proshqiptar, atëherë kushdo që e sheh me sytë e tij realitetin e përditshëm është antishqiptar. Përfshi qindra mijëra shqiptarë. Përfshi mua që kam lënë Italinë për Shqipërinë. Përfshi Krichbaumin, përfshi Macronin, e ndoshta miliona të tjerë.

Atëherë për këta proshqiptarë të zgjuar, është e vërteta që është antishqipatre, që duhet fshehur, mohuar, përgenjeshtruar me forcë.

Kështu, pas lavdisë së komunizmit, ndoshta do të arrijmë edhe atë të Evropës, por e vërteta nuk do të ndryshojë./exit.al

Share: