Home KRYESORE Avash -avash dhe nesër…. Nga Elona Caslli

Avash -avash dhe nesër…. Nga Elona Caslli

  • Shumë vite më parë teksa gjendesha përballë ekranit të televizorit në shtëpinë time, më kujtohet pamja e prezantuesit të njohur Adi Krasta, në një emision televiziv , i cili pyeste një grua gjermane që kish jetuar për ca kohë në Shqipëri, se cilat qenë fjalët që ajo kish mësuar në gjuhën shqipe.

    Nuk më kujtohen tiparet e asaj gruaje, nuk më kujtohet as arsyeja që e kish shtyrë të vizitonte Shqipërinë, por më kujtohet përgjigjja e saj , sepse ishte një përgjigje, kuptimin e së cilës, e pashë kthjellët shumë vite më vonë…

    Ajo u përgjigj : “ Dy fjalë kam mësuar në gjuhën shqipe : Avash- avash dhe nesër.”

    Kur e dëgjova përgjigjen e saj, në fillim pyeta veten: “ Çfarë të veçante do të kenë vallë këto fjalë?!”
    Për një individ si unë, që ishte në paradhomën e adoleshencës, këto fjalë kishin vetëm një domethënie:
    – Të mos kryeje me nxitim një veprim ose ta kryeje këtë të fundit një ditë më vonë.-

    Avash-avash dhe nesër, ishin dy fjalë që u ngulitën në mendjen time dhe pas shumë vitesh kuptova se ajo grua gjermane përmes tri fjalëve, kish përmbledhur të vërtetën e hidhur të kombit tim.

    Ende sot , përdoren dendur këto dy fjalë, në dialogjet e jetës së përditshme dhe për fat të keq dhe në fjalimet e individëve që përfaqësojnë vendimmarrjen në këtë vend.
    -Eja nesër! Kalo nesër! Shihemi nesër! Flasim nesër! A vjen nesër?!
    Nesër, gjithmonë nesër…
    Gjithmonë e më shumë përdoret e ardhmja e dëftores “ Do të bëjmë “ e përherë e më rrallë e kryera e thjeshtë “ Bëmë.”

    Duket se i kemi mbushur mendjen vetes se koha ka kohë për ne, se diçka do ta ketë ruajtur poshtë banakut, se do ta bëjë një përjashtim, se do t’i fusim një mik që ajo e njeh prej kohësh dhe akrepat e orës nuk do të lëvizin për ne, se koha do të ngrijë dhe për ne nuk do të ketë kurrë kohë të humbur , por veçse kohë të ndalur.

    Ndërkohë, të dehur nga iluzioni se jemi të “përkëdhelurit e kohës” kemi harruar se 7 ditë ka java edhe për ne , se 12 muaji ka viti edhe për ne dhe kalendari shënon 2018 edhe për ne.

    Ndoshta një ditë kur të zhdehemi dhe të na dhembë koka, do të ndërgjegjësohemi se kemi humbur mjaft kohë dhe se fjalët “ Avash avash dhe nesër “ duhet t’i burgosim në fjalorin e së shkuarës dhe t’u japim lirinë dy fjalëve të tjera:
    “ Në çast dhe sot!”

    Liria e këtyre dy fjalëve do të na bënte miq të kohës dhe jo keqpërdorues të saj!

    Share: