Home KRYESORE Basha: Shkarkimi i Hajdarmataj me urdhër të Ramës, Arta Marku po bën...

Basha: Shkarkimi i Hajdarmataj me urdhër të Ramës, Arta Marku po bën gjithçka për të mbrojtur Tahirin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mërkurën, komentoi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj nga Kryeprokurorja Arta Marku, duke e cilësuar atë si pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.

Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, pak orë pas njoftimit të shkarkimit të Hajdarmatajt, Basha e quajti “kamikaze” si Markun, ashtu edhe zëvendësuesen e Hajdarmatajt, Donika Prelën.

Ai tha se shkarkimi i prokurorit të Krimeve të rënda, vjen vetëm pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia dhe pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit dhe vendosi ta thërrasë edhe këtë të fundit.

Sipas tij, shkarkimi erdhi ditën kur prokuroria nuk kishte më nevojë për autorizimin e Edi Ramës dhe mazhorancës për arrestimin e Tahirit, pasi KZQ njoftoi heqjen e mandatit të tij si deputet.

“Mbrëmë Edi Rama shpalli në media urdhrin e tij ndaj prokurorisë kur deklaroi publikisht se nuk ka prova për ta dënuar Saimir Tahirin dhe se ai kishte punuar mirë. Por nuk u ndal me kaq. Sot, kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme njoftoi shkarkimin e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, drejtuesin e prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës”,- tha Basha.

Më tej, Basha pyeti: A është shkarkuar Hajdarmataj sepse në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën? A është emëruar prokurorja e re për të shkatërruar këto prova për Tahirin, qoftë edhe duke e dorëzuar Saimir Tahirin në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia që do të thotë e arrestojnë sa për sy e faqe dhe pastaj e shpallin ta pafajshëm duke shkatërruar çdo provë?

Vendimi i shkarkimit u mor këtë të mërkurë nga Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku. Në vend të tij në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është komanduar prokurorja e Durrësit, Donika Prela. Hajdarmataj e mori këtë detyre rreth dy vite me parë, kur u emërua me dekret presidencial.

Hajdarmataj ishte prokurori që në muajin Tetor kërkoi nga kuvendi autorizimin për arrestimin e ish-Ministrit Tahiri. Ditët e fundit prokuroret e dosjes kanë qenë mjaft aktivë duke marrë dëshmitë e disa personave, veç sekuestrimit të dokumenteve nga disa institucione apo edhe marrjen e informacione nga Italia dhe Greqia.

Share: