Home KRYESORE Bastisja në Durrës, reagon për herë të parë Prokurori që iu vodhën...

Bastisja në Durrës, reagon për herë të parë Prokurori që iu vodhën dosjet

Prokurori Afrim Shehu ka folur për herë të parë, lidhur me materialet që janë marrë nga zyra e tij.

“Janë marrë vetëm disa akte ekspertimi, të një dosjeje që ka lidhje me hetimet për komunën Ishëm. Gjithashtu janë grisur disa dokumenta. Nuk është marrë asgjë tjetër”, ka thënë prokurori Shehu.

Prokurori më tej, ka hedhur dritë dhe rreth çështjes së grabitjes së serverit me të dhënat e Prokurorisë dhe ngritjen e një Prokurorie tjetër paralele nga ana e krimit.

“Është marrë pajisja që monitoron kamerat. Është marrë serveri i kamerave, jo serveri  i të dhënave kompjuterike për institucionin”, ka thënë Shehu.

Sipas tij materialet që janë marrë nuk i dëmtojnë hetimet.

“Është thyer zyra që është ngjitur me mua, ku janë dy oficerë të Policisë gjyqësore, por objektivi ka qenë zyra ime dhe jo e atyre. Qëllimin e kanë pasur për të prishur hetimet, por kjo gjë nuk do të ndodh.  Nuk  dëmtohen hetimet, është rast që rikuperohet, pasi materialet janë të administruara dhe në pjesën tjetër të dosjes. Çdo gjë është në rregull, nuk është dëmtuar asgjë nga hetimi”, ka saktësuar prokurori Afrim Shehu.

Gjithashtu ai ka hedhur poshtë zërat, se çështja po hetohet nga Krimet e Rënda, pasi një ditë më parë në Prokurorinë e Durrësit u paraqit prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Share: