Home KRYESORE Boom: Mashtrimi me listën e re të barnave të rimbursueshme

Boom: Mashtrimi me listën e re të barnave të rimbursueshme

Hyrja në fuqi e listës së re të barnave të rimbursueshme, duket sa ka sjellë shumë probleme për kategoritë që përfitojnë.

Gazetarët e “Boom”zbuluan se një pjesë e medikamenteve të kësaj liste, më konkretisht ato që duhet të merren falas nga pacientët, mungojnë. Por farmacistët thonë se në mungesë të alternativës së rimbursueshmë 100% , mund të zgjedhësh për të njëjtin ilaç alternativën e dytë, e cila gjendet lehtësisht, por që për të, duhet të paguash.

Por problemi nuk mbaron këtu pasi sistemi i recetës elektronike në mungesë të njërit prej ilaçeve të rekomanduara nga mjeku, penalizon  pacientin, duke mos lejuar farmacistin të bëj ekzekutimin e recetës. Nëse në recetë mjeku rekomandon tre ilaçe dhe njëri prej tyre nuk gjendet, atëherë pacienti nuk mund të marrë as dy medikamentet e tjera.

Në lidhje me problemin e mungesës në treg të ilaçeve të rimbursueshme 100 %, gazetarët e Boom pyetën dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky i fundit deklaron se të paktën një alternativë e barnave për të cilat ngrihet problemi ndodhet në treg, duke mos pranuar të bëj asnjë sqarim, për mungesën e barnave që përfitohen falas.

Kategoritë përfitese nga lista e barnave të rimbursueshme  si pensionistët, invalidët, personat me aftësi të kufizuara apo sëmundje kronike, janë të detyruar kështu pas risive të shërbimit shëndetësor, të paguajnë për të marrë ilaçet që ju takojnë falas ose në të kundërt të ndërpresin mjekimin, duke vënë në rrezik shëndetin e tyre.

Share: