Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera “Fiks Fare” / Sindikatat shesin dhe tjetërsojnë pronat nën administrim

“Fiks Fare” / Sindikatat shesin dhe tjetërsojnë pronat nën administrim

Emisioni investigativ, “Fiks Fare” risolli edhe një herë në vëmendje të publikut historinë e pronave të administruara nga Sindikatat e Shqipërisë dhe se si janë tjetërsuar, shitur, apo rrënuar disa prej këtyre pronave, pas më shumë se 20 vitesh.

Me një dekret të ish-Presidentit të Republikës, Sali Berisha, nr 204, dt 05.05.1992, pasojat e të cilit janë rregulluar më pas me ligjin numër 8340/1 datë 06.05.1992 “Për pasurinë e Sindikatave” kanë kaluar nën administrim të tyre një sërë pronash si kinema, salla argëtimi, shtëpi pushimi, pallate kulture, që sot mendohet të kapin një vlerë rreth 2.3 miliardë euro.

Sindikatat në bazë të ligjit kishin të drejtë t’i administronin pasuritë deri në vitin 2020, por jo t’i tjetërsonin, shisnin, pasi nuk ishin prona të tyre në kuptimin e ligjit. Por, faktikisht ka ndodhur ndryshe.

Nga informacioni i bërë publik në dhjetor të vitit 2017, qeveria vendosi që në hetimin që po bëhet nën emrin “forca e ligjit” të zbardhet edhe grabitja e pronave të Sindikatave dhe tjetërsimi që i është bërë nga këta të fundit nëpërmjet shitjeve abuzive tek të tretë, apo falsifikime dokumentesh. Një krim ky që ka përplasur në dyert e gjykatave apo përplasje fizike, për më shumë se 20 vite pronarët e vërtetë të truallit të këtyre pronave. Shumë prej tyre janë degraduar apo edhe shembur për shkak se rrezikonin jetën e banorëve.

Ish-Kampi i Punëtorëve në Dhërmi

Ish-Kampi i Punëtorëve në Dhërmi ishte i vendosur në më shumë se 17 mijë m2. Në vitin 1992, si të gjitha kampet e tjera, edhe ky kamp ishte nën inventarizimin e Sindikatave të Shqipërisë. Deri në vitin 1997 ai është administruar nga Sindikata e Transportit Rrugor, por pas këtij viti, ndërtesa e lënë pas dore u degradua deri në banjë publike dhe në 2014 u hodh në erë nga INUK-u, pasi ishte kthyer në një problem serioz për zonën.

Në vitin 1994, me vendimin numër 105 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të pronave Vlorë, i njeh ish-pronarit Spiro Zhupa ndër të tjera edhe rreth 800 m2 truall, mbi të cilën ishte ndërtuar ish-Kampi i Punëtorëve Dhërmi. Por, sipas trashëgimtarëve të tij, ata nuk e kanë gëzuar asnjëherë këtë pronë, pasi ajo rezulton të jetë shitur e blerë nga Sindikatat dhe persona privatë. Duke kaluar nga njëri blerës tek tjetri, janë humbur edhe gjurmët mbi të cilat mund të hetohet për të zbuluar se si kjo pronë, e administruar nga sindikata përfundoi tek privati.

Një nga trashëgimtarët, Jani Zhupa tregon për “Fiks Fare”, se si kanë humbur, fituar dhe humbur proceset gjyqësore deri në gjykatë të lartë dhe sot shpresojnë tek vetting-u dhe Gjykata Kushtetuese për të vënë në vend drejtësinë.

“Si mund të shesësh një pronë që e ke patur nën administrim apo nuk e ke tënden! Ne nuk duam të na japin diçka që nuk na takon, sepse në të kundërt ta gëzojnë”, shprehet z. Zhupa.

Ish-Kampi i Punëtorëve Korçë

Një tjetër pronë, ish-Kampi i Punëtorëve Korçë, edhe ky nën administrimin e Sindikatave, ka trazuar jetët e dy banorëve të Korçës. Kristaq Kafexhiu dhe Roland Demko kanë mbi 10 vjet që përplasen në gjyqe për një kontratë shitblerjeje dhe huamarrje mbi truallin që nuk e ka gëzuar askush. Kristaq Kafexhiu me një valixhe në dorë të mbushur me dokumente tregon se për këtë çështje janë bërë mbi 100 gjyqe dhe se kjo histori duket sikur nuk do të përfundojë asnjëherë, por do të mbeten në dyert e gjykatave. Ndërkohë, sipas Hipotekës Korçë, kjo pronë është ende e regjistruar në emër të Sindikatave të Konfederatës. Kjo e fundit e ka lënë me qira tek një investitor privat, i cili e ka kthyer në hotel dhe kafene.

“Fiks Fare” kontaktoi me administratorin, i cili konfirmoi që kontrata e qirasë është shtyrë deri në 2036, pavarësisht se nën administrim, Sindikatat e kanë deri në 2020.

Ish-Pallati i Kulturës “Metalurgu” në Elbasan

Ish-Pallati i Kulturës “Metalurgu” ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Kjo godinë dykatëshe ka qenë nën inventarizimin e Konfederatës së Sindikatave që në vitin 1992. Sot, sipas informacionit të zyrës së hipotekës, kati i parë është në pronësi të një qytetari nga Elbasani, ndërsa kati i dytë është ende nën administrimin e Sindikatës, e cila e ka lënë me qira.

Ne kontaktuam me Presidentin e Sindikatës Rajonale Elbasan, Xhevdet Manuku, i cili shit-blerjen e katit të parë e cilësoi të paligjshme. Sipas tij, kryesindikalistët, këto prona i kanë shitur dhe tjetërsuar në kundërshtim të plotë me ligjin.

Shteti duhet të ndërhyjë. Sot janë të hapura dhjetëra procese gjyqësore pikërisht nisur nga këto shitblerje abuzive. I kemi humbur. Ne sot mbahemi vetëm me kuota. Marrim në baze të rrogës të punonjësve 0.5%, afërsisht 200 lekë në muaj, ndërkohë ne dje kishim prona që i administronim dhe mund të kishim një përfaqësi më të denjë. Pallati i Kulturës është shitur kati i parë në mënyrë të padrejtë nga sindikatat. Të gjitha pronat që ne kishim janë tjetërsuar. Të gjitha proceset që ne kemi hapur ndaj abuzuesve i kemi humbur, pasi ka korrupsion në gjykata”, shprehet Manuku.

l.h/ dita

Share: