Firmoset kontrata, gati fillimi i punimeve për ndërtimin e spitalit të ri në QSUT, investimi 14.4 mln euro
Manastirliu: Bashkë me strukturën e re të Kirurgjisë që nis të ndërtohet, dy projektet madhore do të modernizojnë shërbimin në QSUT, 25 mln euro investime
Tiranë – Një spital i ri 7 katësh i sëmundjeve të brendshme do të ndërtohet në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, projekt i financuar nga kredia e Banka e Këshillit të Europës të përfituar nga Qeveria Shqiptare.
Në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u firmos kontrata për ndërtimin e spitalit të ri nga Ministrja e Shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu dhe z. Fabrizio Puccarelli, drejtor ekzekutiv i kompanisë INSO.
“Finalizuam një fazë shumë të rëndësishme të firmosjes së kontratës së dytë të projektit që modernizon Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, për ndërtimin e një spitali krejtësisht të ri të sëmundjeve të brendshme, një spital bashkëkohor që do të ofrojë një standart të ri shërbimi për qytetarët”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu pas firmosjes së kontratës.
Spitali i ri, një investim prej 14.4 milion euro do të ndërtohet nga themelet brenda ambjenteve të QSUT, ku do të përqëndrohen të gjitha repartet e sëmundjeve të brendshme (të 6-katëshit aktual) duke filluar nga kardiologjia, hemodinamika, nefrologjia etj. si dhe do të bëjë bashkë shërbimin e mjekësisë interne, alergologjisë, të cilat së bashku me shërbimet ekzistuese do të kompletojnë profilin e nje spitali të mirëfilltë të sëmundjeve interne.
Vendndodhja e spitalit të ri është pas spitalit ekzistues të ndertuar në fazën e parë të master-planit të QSUT-së. Lidhja me të me ura në të gjitha nivelet, do të sjellë edhe integrimin e shërbimeve me njeri-tjetrin, duke bërë kështu të mundur centralizimin dhe optimizimin e shërbimeve, uljen e kostove dhe shfrytëzimin më të mirë të burimeve njerezore. Ambienti lidhes ndërmjet dy spitaleve do të përdoret për pritjen e vizitorëve dhe pacientëve ambulator. Ky spital do të jetë me 7 kate, nga të cilët një nëntokë dhe me dritë natyrale në ambientet e brendshme.
Gjithashtu për një organizim dhe funksionim më të mirë të shërbimit të urgjencës, me ndërtimin e këtij spitali të ri, Shërbimi i Urgjencës do të transfrohet në godinën e re me hyrje nga rruga e Dibrës, duke krijuar kështu lehtesi në lëvizjen e autoambulancave.
Ky projekt madhor parashikon gjithashtu edhe krijimin për herë të parë të një spitali ditor brenda kësaj strukture, me 60 shtretër, i cili do të reduktojë shfrytëzimin e shtretërve dhe do të ulë kostot për trajtimin e pacientëve që nuk kanë nevojë për hospitalizim.
“Bashkë me ndërtimin e strukturës së re të Kirurgjisë së Përgjithshme, vendosim një standart të ri shërbimi në QSUT, me dy spitale moderne, një investim prej 25 milion euro që do të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend”, tha Ministrja Manastirliu.