Partia Demokratike ka finalizuar projektligjin që ndalon simbolet komuniste.
Grupi i punës i përbërë nga deputeti Enkelejd Alibeaj, studiuesi Erald Kapri, kreu i shoqatës antikomuniste Nebil Çika dhe ish-të përndjekur politikë pas asistencës së CDU-së gjermane tashmë kanë gati draftin që ndalon me ligj simbolet e diktaturës dhe portretet e ish-udhëheqësve të saj.
Dokumenti prej 12 faqesh, i siguruar nga “Gazeta Shqiptare”, në një nga pikat thelbësore të saj ka ndalimin me ligj të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ndërkohë që për herë të parë kërkohet që “sapo ligji të hyjë në fuqi, bashkitë me propozimin e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit duhet të ndryshojnë emrat e rrugëve, shesheve, qyteteve, që mbajnë emrat ish-udhëheqësve të diktaturës.
Gjithashtu, projektligji parashikon që nëse do të ketë manifestime të propagandës komuniste të përdoret si shembulli më i mirë rasti i Italisë me dënimin me 1 vit e 8 muaj për simbolet fashiste.
Po ashtu demokratët kërkojnë me ligj që të shfuqizohen dekoratat, titujt që janë marrë gjatë kohës së diktaturës. Drafti i demokratëve parashikon: “Me ligj do të ndalohet çdo simbol komunist, siç është flamuri i Partisë Komuniste të Shqipërisë, me yll pesë cepash, drapër e çekan, portretet e diktatorit Enver Hoxha si dhe çdo portret tjetër që lidhet me të shkuarën e diktaturës.
Ndalohet me ligj çdo imazh, parullë që lidhet me diktaturën komuniste”. Grupi i punës në PD, i cili punoi prej muajsh për hartimin e këtij drafti do të nisë punën me grupet e interesit para se të shkojë në Kuvend për votim. PD është e hapur për sugjerime dhe përmirësime të tjera gjatë shqyrtimit me të gjitha shoqatat, institutet dhe studiuesit që merren me krimet e komunizmit në Shqipëri.
Shtysë për këtë nismë të PD-së u bë rishfaqja e simboleve komuniste, së bashku me foto të diktatorit Enver Hoxha në 75-vjetorin e Konferencës së Pezës dhe e përsëritur serish edhe me 5 maj te “Varrezat e dëshmoreve” në Tiranë ku pati dhe një përplasje mes demokratëve dhe veteranëve që mbanin në duar porte të diktatorit Hoxha.
Pak muaj më parë, Italia miratoi ligje që ndalojnë përdorimin e simbolizmit të sistemit nazi-fashist. Kreu i PD-së Lulzim Basha para monumentit “Nënë Shqipëri”, dy ditë më parë deklaroi se PD është e angazhuar të çojë në parlament një ligj për ndalimin e simboleve të komunizmit.
“PD është e angazhuar të çojë në parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë, për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha. Sot është dita t’i kujtojmë njëri-tjetrit se liria fitohet e mbrohet çdo ditë.
Është dita për t’i kujtuar njëri-tjetrit, se liria fitohet dhe mbrohet çdo ditë. Se ditën që nuk luftojmë më për liri rrezikojmë ta humbim atë. Ndaj dhe thirrja ime sot është të vazhdojmë ditë për ditë betejën tonë për lirinë e kërcënuar nga diktatura dhe tirania e krimit, autokracia që shkel ligjin për interesa private dhe personale të pushtetit, liria nga tirania e varfërisë, korrupsionit që zhvat dhe shkatërron pasuritë e vendit”, – deklaroi z.Basha.
Projektligji i PD-së për kujtesën kolektive dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist
• Ky ligj parashikon që Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, të marrë një rol thelbësor e të ndjekë nga afër çdo rast që lidhet me të kaluarën komuniste.
• Me ligj do të ndalohet çdo simbol komunist, siç është flamuri i Partisë Komuniste të Shqipërisë, me yll pesë cepash, drapër e çekan, portretet e diktatorit Enver Hoxha si dhe çdo portret tjetër që lidhet me të shkuarën e diktaturës.
• Ndalohet me ligj çdo imazh, parullë që lidhet me diktaturën komuniste.
• Do rishikohen emrat e rrugëve, qyteteve, shkollave, ndërmarrjeve, emra ose pseudonime, te personave që lidhen me diktaturën.
• Të ndalohet me ligj Partia Komuniste e Shqipërisë
• Të ndalohen të gjitha veprat intelektuale apo artistike, të cilat kanë propaganda komuniste, një ndër to do të jenë dhe filmat e shfaqur gjatë periudhës së diktaturës hoxhiste.
• Do të detyrohet Ministria e Arsimit që të rishikojë kurrikulën.
• Të gjitha librat apo propaganda të publikohen nëpër muzetë, për çështje kërkimore shkencore, por jo për çështje publike siç ndodh në ditët e sotme. Në rast se dikush tenton t’i përdorë, do të dënohet me gjobë.
• Portreti i diktatorit Enver Hoxha, ylli komunist, flamuri komunist me drapër dhe çekan, medaljonet, portret e Hysni Kapos, Mehmet Shehut etj., himni i Partisë së Punës së Shqipërisë ndalohen me ligj, përdorimi i tyre do të konsiderohet shkelje e ligjit dhe të dënohet ligj.
• Sapo ligji hyn në fuqi, bashkitë me propozimin e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit duhet të ndryshojnë emrat e rrugëve, shesheve, qyteteve.
• Projektligji parashikon dënim me burg nëse do të kemi manifestime të propagandës komuniste. Shembulli më i mirë është ai i Italisë me 1 vit e 8 muaj burg për ata që përdorin simbolet komuniste.
• Do të shfuqizohen të gjitha dekoratat, titujt, e marra gjatë kohës së diktaturës./GSH.al