Postieri që kishte në dorë shkresat e prokurorisë së Durrësit është grabitur sot paradite rreth orës 10:30 porsa ai kishte lënë ambientet e Postës qendrore të këtij qyteti dhe nisej drejt organit të akuzës. Siç thuhet në njoftimin e policisë, dy persona të maskuar i kanë marrë zarfet nën kërcënimin e armës. Në media u dha se postieri transportonte dokumente të klasifikuara, por Prokuroria e Durrësit e ka mohuar këtë.
“Lidhur me rastin ju informojmë që kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 10:30, ku punonjësi i postës së Prokurorisë Durrës ka qenë objekt i sulmit nga persona të pa identifikuar. Po kryhen veprimet hetimore me përparësi për verifikimet e rastit, në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë të Qarkut Durrës”, ka thënë prokuroria në një reagim për mediat.
Po kështu, Prokuroria e Durrësit shprehet se “nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka patur materiale të cilat klasifikohen si Sekret Shtetëror”.