Kriza aktuale e qeverisë në Italinë është më e gjata që nga themelimi i republikës që pas Luftës së Dytë Botërore.
Italia po përballet me një nga krizat më të mëdha politike në historinë e saj. Partitë e koalicionit qeveritar në Itali e kthyen nga presidenti Sergio Mattarella presionin për të miratuar me çdo kusht kandidatin euroskeptik të tyre për ministër të Ekonomisë, duke thënë të shtunën se alternativa tjetër e kësaj do të ishte vetëm mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Por pasi kanë kaluar 84 ditë nga zgjedhjet, Italia ende nuk ka një qeveri. Giuseppe Conte, mbrëmjen e së dielës, i ka dorëzuar dorëheqjen Presidentit Sergio Matarella, duke lënë përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.
Lajmin e dha Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, Ugo Zampeti. Njoftimi erdhi në fund të takimit midis Presidentit italian dhe kryeministrit të caktuar, takim që zgjati rreth një orë.
Ka përfunduar kështu përpjekja për të formuar një qeveri të udhëhequr nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lega. Dy bisedime të gjata në Quirinale për udhëheqësit e 5 Yjeve dhe Legës, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, paraprinë këtë dorëheqje. Di Maio dhe Salvini e takuan Presidentin Sergio Mattarella që të zhbllokonin ngërçin politik.
“Ne kemi punuar për javë, ditë e natë, për të krijuar një qeveri që mbron interesat e qytetarëve italianë. Por dikush na tha Jo”, shkruan Matteo Salvini në Twitter.
Dorëheqja e Contes vjen pasi Presidenti nuk miratoi kandidaturën për ministrin e Financave.
Formalisht, kryeministri i mandatuar Giuseppe Conte i prezanton përbërjen e kabinetit qeveritar presidentit, i cili duhet t’ia miratojë më pas. Conte, një profesor jurisprudence shumë pak i njohur dhe pa eksperiencë politike, u takua me presidentin të premten, por pa zgjidhur ngërçin. “Shpresoj që askush të mos ketë zgjedhur alternativën ‘Jo’”, tha kreu i “Lega Nord”-it, Matteo Salvini, përpara mbështetësve të tij në veri të Italisë. “Qeveria, ose duhet të marrë frerët dhe të nisë punët në orët në vijim, ose t’u drejtohemi edhe njëherë kutive të votimit”, tha ai.
Më pas, edhe udhëheqësi i “5 yjeve”, Luigi Di Maio tha se priste që presidenti të merrte një vendim për mbështetjen e qeverisë brenda 24 orësh. Edhe kjo lëvizje antiestablishment e mbrojti kandidaturën e Savonës. “Është një zgjedhje politike dhe, bllokimi i një zgjedhjeje minitrore është përtej rolit të presidentit”, tha Alessandro di Battista, një prej politikanëve më të lartë të “5 yjeve”.
Mattarella nuk ka folur publikisht për Savonën, por përmes ndihmësve të tij e ka bërë të qartë se nuk dëshiron një ministër Ekonomie antieuro dhe se nuk do të mund të pranonte “diktatin” e partive të koalicionit. Kritikat e Savonës ndaj euros dhe politikave ekonomike gjermane kanë tronditur edhe më tej tregjet, gjithsesi të shqetësuara mbi vullnetin e qeverisë së ardhshme për të vënë dorë mbi borxhin masiv të Italisë, 1.3 herë më të lartë sesa prodhimi kombëtar vjetor.
Giuseppe Conte, i mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Itali, hoqi dorë nga detyra pasi Presidenti Sergio Matarella refuzoi të zgjedhurin e tij për postin e ministrit të Ekonomisë, euroskeptikun Paolo Savona. “I pranova të gjithë ministrat, përveç atij të ekonomisë”, tha Matarella pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e së dielës me Conten. Ai shprehu keqardhjen për mungesën e gatishmërisë ndaj zgjidhjeve të tjera. Kandidati për kryeministër i koalicionit të partive populiste Lëvizja e Pesë Yjeve dhe Lega Nord, i paraqiti të dielën Matarellës listën me të zgjedhurit e tij për kabinetin e ri, me shpresën se më në fund do të ishte në gjendje të krijonte qeverinë.
Por, kreu i shtetit i vuri veton kandidatit për ministër të Ekonomisë, i cili, sipas tij do të udhëhiqte vendin drej daljes nga eurozona. “Duhet të tuteloj të ardhurat e italianëve”, vijoi më tej Matarella.
Duke sulmuar Presidentin për qëndrimin e tij, Mateo Salvini i Lega Nord tha se Italia duhej të votonte sërish, ndërsa Luigi di Maio i Lëvizjes së 5 Yjeve e cilësoi vendimin si të pakuptueshëm. “Nuk mund të qëndrojmë duarkryq”, tha ai. Pak minuta më vonë fjalët e tij u pasuan nga një perspektivë dramatike.
Mediat italiane pretendojnë se krerët e Lëvizjes së 5 Yjeve po shqyrtojnë mundësinë për të kërkuar gjykimin e Presidentit mbi bazën e nenit 90 të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti nuk përgjigjet për aktet e kryera gjatë kohës që ushtron detyrën, përveçse në rastin e tradhtisë së lartë apo sulm ndaj Kushtetutës. Në këtë rast do të vihej në gjendje akuze nga Parlamenti./opinion.al