Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Kushtrim! Si është transformuar e transmetuar kultura e vjedhjes sot…!

Kushtrim! Si është transformuar e transmetuar kultura e vjedhjes sot…!

Nga Leonora Laçi

Këto ditë lexova me vemëndje disa artikuj të Atë Anton Harapit OFM që ishin botuar në Revistën Hylli i Dritës dhe u ribotuan në vitin 2017 nga Botimet Françeskane në një libër të vetëm, nën titullin “Naltimi i ndërgjegjes kombëtare”.

Dy artikuj mjaft aktual ishin “Lmashku i hyperkulturës në Shqypni, dhe “Nji kushtrim për kulturë”, këto shkrime pasqyrojnë realitetin përpara ardhjes së komunistëve në pushtet, por janë aktuale dhe po përballemi me të njëjtën situatë sot e duhet të lëshohet kushtrim.

Artikulli “Nji kushtrim për kulturë” ka një fragment që po e citoj-“ ky problem i madh, për mue ka nji shkak te vetun, nji shpjegim te thjeshte, rreziku yne pse vune lasker kulture dmth nuk morem kulturen vete, por morem format e perfitimet e kultures dhe i pershtatem; shnderruem vlerat objektive ne vlerat relative; perparuem per dukë, ndersa morem realisht ne shpirt borëm shume, mbetem e harruem qellimet, tue kerkue t’a bajme jeten sa ma te lehte, shvleftesuem jeten vete”.

Mjafton ky fragment për të na futur në mendime mbi kushtrimin që duhet të lëshojmë, të shtrengojmë fortë vlerat, jetën, deshirat, ëndrrat e të largojmë nga vetja gjithçka qe na e ndalë hovin.

Artikujt e Atë Anton Harapit janë një shuplak për kohën, por dhe koha e sotme ka nevojë për shuplaka te tilla.

Sot, koncepti për kulturën, për të mirën, për demokracinë, ka marrë një kahje te gabuar drejtimi, po veprohet antikulturë, antidemokraci, kundër së mirës.

Pa faj nuk është e kaluara jo shumë e largët që ka lënë pasoja që vazhdojmë t’i vuajmë.

Ne huazojmë vazhdimisht të pahuazueshmen. E kaluara na ka ushqyer vjedhjen dhe korrupsionin, shthurjen dhe mbulimin, totalitaren, parazitizmin dhe dembelizmin, duke penguar lirinë ka nxitur veprimin në fshehtësi, duke penguar fenë na ka nxitur ekstremizmin, duke penguar mendimin e fjalën e lirë na ka varfëruar mendjen e shpirtin.

Demokracia jone perceptohet vetëm si antikomunizëm dhe gjithçka që lidhet me të, mjaftonte të ishte anti së shkuarës komuniste, deri sa kjo anti na u kthye anti nesh.

Duke u munduar të luftojmë te shkuaren, gabuam për të tashmën. Donim lirinë pavarësisht çmimit që do paguanim për të.
Dhe ndodhi kjo krizë shoqërore që po kalojmë, krizë pa ilaçe shërimi.

Si gjithçka tjetër që kerkuam të bëjmë e të ç’bëjmë. Prona publike do bëhej private medoemos, centralizimi ekonomik do i linte vend tregut te lirë. Njerëzit që frikësoheshin të besonin në Zot, jo vetëm që besuan, madje dhe në sekte te tjera, mjafton vetëm të besoje diku.

Grisëm, shkatërruam gjithçka që vetë ndërtuam për të rindertuar serisht por pa eksperiencën e duhur.

Vonë e kuptuam që faji ishte tjetërkund. Tashmë po na e merr frymën dhe “demokracia” qe aq shumë deshëm.

Nga parti-shtet që tjetër s’kisht u shndërruam në vend me parti me apo pa anëtarë, parti e biçim partish, parti qe s’kanë bosht.

Betonizimi u bë përceptimi ynë kryesor për të mbërritur perëndimin, e madje duket sikur ia kaluam atij për informalitetin, për kaosin.

Por nga betonizimi mendor i udhëhequr nga një ideologji, shpertheu analfabetizmi që mori status intelektuali, realiteti, perëndimi na përplasi fortë.

Përqafuam të huajën, e përthithëm atë pa menduar më gjatë, mohuam veten me raste, nuk duam njëri- tjetrin kur dalim jashtë Shqipërie, xhelozuam të sukseshmin e vlerësuam të paaftin, harruam njeriun.

Të gjithë jetojmë një farsë demokracie që më tepër është një përshtatje e së shkuares sesa një risi e së ardhmes. Demokraci që veç populli nuk ka pushtet, se dhe po ta kishte s’do dinte çfarë të bënte me të, se është mësuar t’i ketë gjërat e gatshme.

Fenomen tjetër është dhe kultura e vjedhjes që zhvillimi më i vrullshëm i saj më rezulton përgjatë periudhës komuniste, e vazhdon jetëgjatësinë si dje.

Por si u përhap ky fenomen, në radhë të parë dëbimi i pronarëve dhe zënia e shtëpisë nga të tjerë.

Më pas shtetëzimi a kolektivizimi i tokës dhe ndarja me të tjerët pati pasojat e veta në formësimin e kulturës së vjedhjes.

Kur ti kthehesh në punëtor të tokës tënde dhe frytet e saj nuk të bien në sqep, apo sheh sesi të tjerët abuzojnë e vjedhin të vjelat ndërkohë ti ndjehesh i pafuqishëm të reagosh sepse do quhesh “sabotues i punës prodhuese” e nuk ia do të mirën kooperativës.

Fenomeni i vjedhjes kaloi nga toka tek uzinat e fabrikat ku edhe pse bëje normën apo e tejkaloje atë, të nesërmen do përballeshe me hajni të punës së djeshme…edhe në këtë rast s’guxon të kërkosh llogari por duhet të punosh po me intensitetin e djeshëm pa pyetur e pa menduar…

Ajo barazia që propagandonte komunizmi nuk ka qenë e vlefshme praktikisht, pasi pjesa më e madhe e popullsisë ndante kafshatat e mjerimit.

Si është transformuar e transmetuar kultura e vjedhjes sot…

Vjedhja në mesin tonë sot, sërisht filloi me vjedhjen e dytë të pronës.

Tashmë prona që i ishte marrë pronarit në periudhën komuniste nuk iu kthye atij që i takonte por u zu nga ata që ishin më të zotë në vjedhje, qoftë me forcë apo me mashtrim. Ndërsa shteti i gjendur përballë këtij fenomeni e legalizoi.

Por sot ka edhe një vjedhje tjetër edhe më të hidhur jo e prekshme, atë morale, atë sistemore ku shteti vjedhë diten me diell, na vjedhin shpresën, të ardhmen, të drejtën për të folur duke politizuar median, të drejtën për tu mbrojtur duke politizuar gjykatat dhe duke i korruptuar ato.

Na vjedhin haptazi e fshehurazi, në grupe dhe individulisht, na vjedhin lumenjt duke na sistemuar në shtratin e tyre hidrocentrale, na vjedhin det pa na dhënë më të voglin informacion dhe mediat e mbulojnë duke u bërë bashkëfajtorë të këtij akti. Nuk harrojnë të na e tatojnë pulsin për të tilla akte të kryera, ku mos reagimi ynë është miratim.

Na vjedhin në mënyrë progresive me taksa progresvie, ku të voglit i merret shpirti dhe të madhit i jepet pushtet. Shteti që është vetë sistemi e nxitë e motivon dhe legjitimon vjedhjen sepse ka mekanizmat për ta bërë atë ashtu siç ka mekanizmat për ta ndaluar, por duhet vullnet.

Na vjedhin nga lartë-poshtë, na vjedhin sindikatat që i paguajmë vetë, na vjedhin shqiptarë e të huaj sepse ku gjejnë shesh bëjnë përshesh.

Na vjedhin duke mos na i kthyer taksat tona në shërbime siç pretendohet. Na vjedhin dhe me ligjet që lënë hapësirë për interpretime e keqkuptime.

Vjedhja që na bëhet ngjanë me një rrjetë trafikantësh që i pari nuk njeh të dytin, i dyti të tretin e kështu me rradhë.

Ne jemi kopjacë të këqinj të së kaluarës por po dalim imitues të zellshëm e herë-herë dhe të suksesshëm. Kur vjedhja bëhet kulturë ajo vetëjustifikohet e pranohet nga të gjithë.

Share: