Home Gjeo-Ekonomia Makinat e përdorura, taksa e re shtesë e propozuar nga qeveria

Makinat e përdorura, taksa e re shtesë e propozuar nga qeveria

Qeveria propozon tarifë për makinat e përdorura, që vijnë nga importi. Tarifa për mjetet e përdorura, që vijnë nga importi apo shiten nga koncesionarët, do të përdoren për asgjësimin e mbetjeve të makinave, që janë në fund të jetës apo siç njihen ndryshe makina, për skrap.

Propozimi për vendosjen e tarifës, vjen në kuadër të “Strategjisë kombëtare të menaxhimit të integruar të mbetjeve”, të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit. Në strategji thuhet se, nga 30 mijë deri në 40 mijë makina të importuara që nga 2013 në vend, 80 për qind e tyre ishin më të vjetra se 10 vjet.

Referuar të dhënave që jepen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, në strategji vlerësohet se rreth 161,607 makina që qarkullojnë në vend, përbëjnë kontingjent të mjeteve në fund të jetës. Por shifrat e këtyre makinave priten të jenë në rritje, pasi qeveria përfshin edhe mjetet e aksidentuara, mbetjet e të cilave duhen asgjësuar. Nga ana tjetër, strategjia parashikon të rrisë menaxhimin e mjeteve në varreza, duke rritur objektivat e riciklimit pas 2020-s.

“Këta dy objektiva, pas janarit të 2020-s, do të rriten me 5 për qind secili, ku prodhuesit e automjeteve në fund të jetës duhet të sigurojnë rikuperimin e 95 për qind të automjeteve, sipas peshës mesatare për një automjet, për një vit kalendarik dhe të ripërdorin dhe riciklojnë të paktën 80 për qind të automjeteve, sipas peshës mesatare për një automjet për një vit kalendarik”, thuhet në dokumentin zyrtar. Kostot e asgjësimit të makinave që grumbullohen në varreza, parashikohen të mbulohen me vendosjen e një tarife për importin e tyre.

“Ministritë e linjës duhet të hartojnë programe informimi për të inkurajuar qytetarët, pronarët e automjeteve në fund të jetës, për t’i sjellë ato në pikat e duhura të mbledhjes. Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve, për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit”, thuhet në strategji.

Qytetarët sot, kur blejnë një makinë të përdorur jashtë vendit, paguajnë vetëm 20 për qind TVSH për zhdoganimin. Propozimi për vendosjen e një tarife për makinat e përdorura të importuara, nuk saktëson nëse kjo do të paguhet për gjitha kategoritë e makinave, sipas standardit euro. Në strategji ende nuk konkretizohet, nëse do të ketë një tarifë të diferencuar për një makinë “euro 3”, që i përket vitit të prodhimit 1 janar 2000 deri në 31 dhjetor 2004, me moshë më shumë se 10-vjeçare mes një makine “euro 5”, që i përket vitit të prodhimit nga 1 janari 2010 deri në 31 dhjetor 2015, me përdorim nën 10 vjet./ Dorina Azo Panorama

Share: