Home KRYESORE Ministri Bushati pret Sekretarin e Përgjithshëm të OBSE, Thomas Greminger

Ministri Bushati pret Sekretarin e Përgjithshëm të OBSE, Thomas Greminger

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Ministri Bushati dhe Thomas Greminger diskutuan çështje me interes për rritjen e efikasitetit të politikave të OSBE në të tre dimensionet e veprimtarisë së saj në kuadër të organizatës si dhe të rajonit të Ballkanit. Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Greminger diskutuan për rolin që mund të luajë organizata në funksion të adresimit të një sërë çështjesh të rëndësishme të sigurisë. Ministri Bushati theksoi pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në organizatë dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar më tej edhe në kuadër të reformimit të saj.

Ministri i Jashtëm shqiptar dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE u ndalën gjithashtu edhe tek bashkëpunimi i Shqipërisë me organizatën dhe rolin e Pranisë së OSBE-së në vendin tonë, duke vlerësuar kontributin e saj në mbështetje të reformave në vend, si pjesë e agjendës integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministri Bushati u shpreh në takim se kontributi i OSBE në mbështetje të reformave në fushën ligjore, diplomacisë parlamentare, mirëqeverisjes, reformës zgjedhore, luftës kundër korrupsionit, etj., ka qenë i mirëpritur. Ministri Bushati dhe Thomas Greminger shkëmbyen mendime edhe për raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili rekomandonte në mënyrë të pakushtëzuar hapjen e bisedimeve midis Shqipërisë dhe BE, ku kontributi i OSBE me ekspertizë në përmbushje të reformave në vend do të ishte i vlerësuar.

Ministri Bushati nënvizoni në takim rolin konstruktiv të Shqipërisë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ai u shpreh se angazhimi i OSBE për të krijuar një klimë të favorshme bashkëpunimi rajonal do të ndihmonte në ruajtjen dhe forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Ministri Bushati përshëndeti me këtë rast përzgjedhjen e Shqipërisë si qendër për zhvillimin nesër të takimit rajonal midis Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE dhe shefave të misioneve të OSBE të vendeve të Evropës Juglindore, pikërisht për të trajtuar çështje në interes të organizatës, por edhe bashkëpunimit rajonal.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, nga ana e tij, vlerësoi në takim partneritetin me Shqipërinë, i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë si në dialogun politik, ashtu dhe në fushën e sigurisë, ndërlidhjes, bashkëpunimit rajonal, etj. Ai veçoi reformën zgjedhore në vend, ku OSBE është e angazhuar, për të përgatitur një kuadër ligjor zgjedhor me standarde të larta, i gatshëm për t’u zbatuar në zgjedhjet e ardhshme në vend.

Thomas Greminger përshëndeti Shqipërinë edhe për përpilimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ku Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Minoritetet e OSBE ka ofruar ekspertizën e saj në procesin e përgatitjes së akteve nënligjore. Në takim u vlerësua edhe kontributi që shqiptaret japin në strukturat e OSBE dhe u kërkua nga palët që Shqipëria të jetë e mirë përfaqësuar në to.

Share: