Home KRYESORE Ministri gjerman: Hapja e negociatave, mundësia më e mirë për të vëzhguar...

Ministri gjerman: Hapja e negociatave, mundësia më e mirë për të vëzhguar punën e qeverisë

Pas samitit të Ballkanit Perëndimor në Sofje, Gjermania shprehet me optimizëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë në muajin qershor, nga vendet e Bashkimit Europian. Në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am zonntag”, ministri gjerman për Europën, në Zyrën Federale për Punë të Jashtme, Michael Roth, e sheh integrimin si një sinjal inkurajues për të rinjtë.

“Hapja e negociatave do të jenë një sinjal inkurajues për njerëzit, veçanërisht për të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoni”, u shpreh ai.

Megjithatë për Roth çështja e çeljes së negociatave është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë që e pret Shqipërinë.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian është ende e gjatë dhe për çdo hap ka një kusht të qartë. Pra, çështja e hapjes së negociatave nuk ka të bëjë me pranimin e menjëhershëm, por është hapi i parë drejt një rruge të gjatë”, tha Roth.

Sipas ministrit gjerman reforma në drejtësi e nisur në Shqipëri do ta çojë vendin përpara dhe procesi i pranimit në BE është mundësia më e mirë për të vëzhguar punën e qeverisë në plotësimin e kushteve.

“Gjithashtu, Shqipëria ka arritur sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i pranimit për në BE është mënyra më e mirë për të parë përpjekjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kushteve”, u shpreh ai.

Ndryshe nga Franca, ministri gjerman thotë se Ballkani Perëndimor është një provë për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, ndaj dhe i bën apel BE-së, që të jetë më prezentë, dhe të përdorë ndikimin e tij në dizenjimin e të ardhmes për të.

360grade.al

Share: