Nga Spartak Ngjela
A do t’i shpëtojë Edi Rama rrethimit që filloi për të në Berlin në datën 26 prill?
Rrethimi vazhdon, kurse miopinë e tij ai e ka çuar në iluzionizëm: Rama po kërkon të shkëputë Shqipërinë nga Uashingtoni drejt Turqisë.
Sëmundja shekullore e qeverisjeve të Shqipërisë ka qenë a road to unfreedom – një rrugë kundër lirisë.
I.
David Phyllips, një personalitet shumë i fuqishëm i analitikës politike në rrafsh botëror, dhe një nga këshilltarët më aktivë të Departamentit të Shtetit dhe më tej, pasi e shpërfilli moralisht dhe intelektualisht ministrin e Jshtëm të Shqipërisë, para dy ditësh iu drejtua shqiptarëve hapur te Zëri i Amerikës për të njoftuar opinionin publik shqiptar se Rama dhe ekipi i tij i ngrirë po shtyhen drejt Moskës dhe Stambollit.
Dhe e gjithë kjo po ndodh sepse Rama, i kapur në korrupsion, nuk pranon të largohet. Në të njëjtën kohë shteti që po drejton është fare pa para, dhe gjendja ekonomike e nderë nuk kalohet dot pa një ndërhyrje financiare nga jashtë. Por ndihma financiare perëndimore nuk i jepet qeverisë shqiptare me këtë kryeministër dhe pa u kryer plotësisht Reforma në Drejtësi.
Kjo është gjendja. Si rregull, për faktin që reforma që përmirëson gjendjen dhe jep zhvillim të ri në mirëqenien shqiptare, rrëzon Ramën, nuk ikën Rama, por vetë Rama po kërkon të qëndrojë në pushtet deri në varfërimin ekstrem të shqiptarëve. Njëlloj si Enver Hoxha që tha: midis rritjes së mirëqenies së shqiptarëve dhe largimit tim, unë imponoj me dhunë vuajtjen e shqiptarëve dhe sundimin tim.
Krejt e njëjta gjë është edhe sot, por rasti Rama nuk është tragjik siç ka qenë rasti Hoxha: rasti Rama është një rast komik. Se Rama tani është rrëzuar nga lartësia, por ende nuk ka rënë në tokë.
Pse, me Erdoganin do mundë Amerikën në Shqipëri Edi Rama!
ll.
Kjo është arsyeja që kryeministri shqiptar, i inkriminuar, siç është provuar tashmë, dhe që nuk pranohet më nga politika perëndimore, me mendjelehtësinë e njeriut të dëshpëruar, po kërkon financim nga Turqia. Kjo është gjithashtu arsyeja që ai po bredh si i çoroditur drejt Stambollit, ndërton në Tiranë xhaminë vepër të Erdoganit me vlerë 30 milionë euro, dhe gënjen përditë politikën amerikane për çdo lloj marrëveshje që po i kërkohet prej saj. Në fakt është viktimë e budallallëkut të tij: po ku ka para Erdogani o i mjerë! Ai i qante Merkelit për tre miliardë euro, dhe është futur e nuk del fare nga frika pas bombardimit të Sirisë.
Pse me mbylljen e shkollave të Gulenit dhe ekstradimet e tyre në Ankara do t’ù shpëtojë ky derëzi e punëzi penalizimit për korrupsion! Pse, Erdogani me skizofreninë e tij do ta shpëtojë këtë kryeministër të belbët?
Ramës tani i është formuluar padia penale mes faktesh, që nga Tahiri e deri te lajthimet e tij në urdhërat e tij verbale për korrupsion. Por dhe me paratë që ka dhënë dhe paratë që ka depozituar në emër të tij, është krejt e njëjta gjë.
Tani politika e lartë perëndimore po krijon presionin kundër tij. Dhe kuptohet se presioni do të shtrëngohet edhe më shumë.
Por pyetja që ngrihet këtu është kjo: po socialistët çdo të bëjnë? Do të mbeten si fakirë të një njeriu të papranuar nga Perëndimi, apo do të veprojnë?
Duhet të veprojnë kundër tij, sa nuk është vonë për të mirën e partisë së tyre.
lll.
Kurse pala tjetër, orientale edhe kjo, e identifikuar tashmë në korrupsion shtetëror, është fare jashtë binarëve. Gjithë shpresën e ka të Rama. Komedi si kjo nuk vjen më në Shqipëri. Drama qesharakë e politikës së korruptuar në Shqipëri, që vjen e vërtitet në një skenë absurde me Berishën, Ramën, Bashën dhe Metën është një qërrollepsje të verbërish që nuk kuptojnë fare pse janë kapur me fakte në abuzim, pse i kanë detyruar të strukturiojnë me kushtetutë dhe ligj Reformën në Drejtësi, pse iu kanë filluar të dy krahëve t’ju nxjerrin fakte bashkëpunimi me Rusinë, dhe pse amerikanët nuk mund t’i pranojnë si bashkëpunëtorë politikë në politikën e tyre për Ballkanin Perëndimor.
Sigurisht që kjo ka qenë një ndërhyrje e studiuar nga politika amerikane, dhe kuptohet gjithashtu që edhe presioni i madh që iu bë Ramës në Berlin nga një fluks i caktuar politik i CDU-së tregon që vetë akti i tyre është një aksion politik i koordinuar për të godutur Ramën
Sigurusht që këtu hyri edhe një aspekt i katërt: angazhimi i Zërit të Amerikës.
Por e gjithë kjo tregon se, nëse Rama nuk tërhiqet, do të ketë aspekte edhe më të rëndë për të. Në fakt ai tani nuk po pranohet fare nga Uashingtoni dhe Berlini, dhe vetë në frikë dhe tërbim të brendshëm, sorrollatet kot, sepse politika e lartë perëndimore kërkon tani largimin e tij.
Në intelektualizmin perëndimor shqiptar dhe të të gjithë shqiptarët që përbuzin këtë lidership shqiptar të korruptuar, që nga rasti i Berlinit dhe këndej, u ndie se kjo ishte një prekje shpirtërore që iu dha atyre gëzim, se iu tregoi edhe të vërtetën.
Shqiptarët pas kësaj, po presin denoncimet e detajuara dhe konkrete me emra nga politika amerikane. Dhe shenjat janë, që, nëse Rama nuk tërhiqet , beteja me zbulimin të mëtejme të së vërtetës korruptive kundër tij, do të jetë mortale për të.
Dhe në fund: kush është David Fyllips?
Është president i Fondacionit të Kongresit për të Drejtat e Njeriut ; drejtor në Klshillin Atllantiktë Shteteve të Bashkuara; drejtor i Qëndrës Europiane të Hapësirave të Përbashkëta.
David Phyllips është autor i librit të suksesshëm me titull “Nga Fishekët te Fletët e Votimit”. Një analizë për rrezikun dhe eliminimin e radikalizmit islamik.