Home KRYESORE Plaza nuk është shitur tek kinezët, interes ka patur nga kompani amerikane...

Plaza nuk është shitur tek kinezët, interes ka patur nga kompani amerikane dhe franceze

Pasditen e së dielës qarkulloi furishëm në media, lajmi se hoteli me 5 yje në qendër të Tiranës, “The Plaza Tirana” është shitur tek një kompani kineze për shumën e 110 milionë eurove. Departamenti i antikorrupsion në PD, hodhi dyshime se pas kompanisë kineze në te vertete qendron biznesmeni Gaz Demi dhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama. Pra sipas PD, tashmë hotel Plaza është blerë nga vetë Edi Rama.

Opinion.al u interesua të mësojë më shumë dhe pyeti palën tjetër. Përmes një email të dërguar në adresën zyrtare të hotel Plazës, morën përgjigje nga njëri prej dy aksioneve të këtij hoteli.

Në reagimin që mbërriti në redaksinë e opinion.al nga biznesmeni Behar Male, thuhet: “Lidhur me informacionin e shpërndarë në media mbi shitjen e Plazës, sqarojmë se nuk është i vertetë dhe për më tepër nuk jemi kontaktuar nga asnjë kompani kineze”.

Sakaq, z. Male shprehet: “Eshtë e vertetë se në hotelin tonë flenë një numur i konsiderueshëm kinezesh por kjo s’ka lidhje me shitjen e hotelit”.

Sipas tij, shprehje interesi për Plazën ka pasur kryesisht nga kompani amerikane, franceze, etj.

Kësisoj, “The Plaza Tirana” vazhdon të jetë në pronësi të dy kompanive shqiptare “Agna Group” me themelues Vasil Naçin dhe TID me themelues Behar Malen.

/Opinion.al

Share: