Home KRYESORE Protesta sot ishte fjalimi i Bashës

Protesta sot ishte fjalimi i Bashës

Nga Alban Daci

Sot, Lulzim Basha mbajti një fjalim i cili, për nga formati dhe përmbajtja, i kishte munguar politikës shqiptare. Ai jo vetëm prezantoi veten si model europian lidershipi, por theksoi se shqiptarët kanë nevojë për lider “normal”. Po ashtu, fillim e mbarim, fjalimi i Bashës ishte me frymë e frymëzim europian duke bërë të qartë shkëputjen e modelit të lidershipit të tij nga ai klasik që jemi mësuar të kemi në këto vite tranzicioni nga të gjitha palët e politikës shqiptar.

Shqipëria nuk ka nevojë për lider karizmatik që ndezin turmat dhe marrin pushtetin përmes turmave, sepse liderë të tillë janë të rrezikshëm për demokracinë, sepse entuziazmi dhe konsensusi plebishitar i qytetarëve krijon ndjenjën e besimit dhe të megalomanisë për të rënë në forma autoritare apo edhe me keq diktatoriale. Forma të tilla lidershipi Shqipëri i kanë kushtuar shumë dhe madje edhe aktualisht në pushtet kemi një formë të tillë lidershipi. Ardhja në pushtet e një lideri përmes ndjenjës emotive të turmave, pa pasur arsyetimin racional pengon qartë proceset e reformimit, modernizimi, demokratizimit dhe të integrimit europain për të cilat Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë.

Basha me lidershipin e vet po sjell një frymë të re në politikën shqiptare. Detyra e një lideri politik nuk është vetëm të jetë frymëzim, por të jetë edhe një edukues i mirë politik për mbështetësit e tij dhe për qytetarët. Basha me stilin e tij të lidershipit soft, në respekt të plotë me institucionet, frymën dhe aspiratën demokratike, po i edukon militantët e PD-së dhe qytetarët, se pushteti nuk merret përmes shesheve dhe turmave, por sheshet dhe turmat janë e vetmja mënyrë për të qenë në kontakt me masën dhe për të dialoguar me të.

Pushteti, apo hatërmbetësit e Bashës brenda PD-së, do të fillojë në mënyrë të dëshpëruar të flasë për pjesëmarrjen në protestën e sotme dhe për shifra. Këta nuk kanë kuptuar asgjë në kohën ku jetojmë dhe në transformimet që demokracia ka pësuar në vitet e fundit, për shkak edhe mjeteve të reja masive të komunikimit përmes rrjeteve sociale apo formave të tjera. Sot, të gjithë ne që jetojnë në Perëndim, në vendet me demokraci stabile dhe të avancuar patëm mundësi të ndiqnim fjalimin e Bashës dhe tek ai gjetëm frymëzimin tonë, modelin dhe optikën tonë që kemi për të ardhmen e Shqipërisë.

Protesta e sotme e ka kryer misionin e saj në dy këndvështrime:
– Së pari, Basha i dërgoj një mesazh të qartë BE-së dhe vendeve europiane se si është Shqipëria sot dhe se si duhet të jetë ajo. Fjalimi i Bashës, fillim e mbarim, kishte krejtësisht frymë europiane dhe për nga frazat e përdorura mund të krahasohet me fjalimet që mbante dikur Presidenti Kennedy. Fjalimi i Bashës ishte me tone të moderuara kritike për situatën aktuale të qeverisjes, por edhe frymëzues dhe pozitivë për të ardhmen nëse qytetarët e mundin frikën ndaj pushtetit. Fjalimi i Bashës ishte një fjalim i cili nuk ishte kundër Shtetit si model organizativ, por kundër të keqes që e ka marrë peng atë për ta vënë në shërbim të interesave të oligarkëve.
– Së dyti, Basha duke u ofruar vetë si model, u transmetoi shpresën qytetarëve që të vrasin frikën dhe të besojnë te vlerat e lirisë dhe demokracisë. Liria dhe demokracia në fjalimin e Bashës në kundërpërgjigje ndaj krimit dhe antivlerave kishin një vend qendror.

Basha sot për sot ka dy lloj kundërshtarësh:
– Pushtetin, që është krejt normale, sepse jetëgjatësia e tij varet drejtpërdrejt nga ngritja e Bashës dhe mbështetja e tij nga qytetarët. Pushteti e kundërshton Bashën, jo vetëm për shkak se konsideron Opozitë në këndvështrimin politik, por sepse e konsideron reformues, europian e për pasojë pengesë kryesore për zhvillimet e deritanishme në raport mes të mirës dhe të keqës.

– Disa hatërmbetës të Bashës, njerëz që janë pasuruar në emër të PD-së, që kanë abuzuar në emër të PD-së dhe që koha është ndaluar që ata që vazhdojnë abuzivizmin në emër të PD-së dhe të mbështetësve të saj. Madje, disa prej tyre kanë sot edhe portale që kanë vetëm një objektiv të vetëm, në çdo rrethanë apo në çdo kohë të sulmojnë apo të tentojnë të denigrojnë politikisht Bashën. Këta, nuk ofrojnë asnjë model lidershipi, nuk kanë asnjë emër serioz lideri që ta vendosin përballë Bashës, sepse koha i ka konsumuar, ama vetëm duan ta sulmojnë atë, sepse ai është pengesa e vetme që ata të vazhdojnë të kenë privilegje dhe abuzivizmin në emër të logos të PD-së dhe të militantëve të saj. Këta nuk bëjnë opozitarizëm, nuk janë një model politik alternativ me Bashën, por janë kthyer në shërbëtorë të pushtetit dhe të keqes, vetëm për shkak të hatërmbetjes si puna e Hamza Kastritotit. Pra, për ta mjafton të mos vijë Basha në pushtet, por e keqja, le të vazhdojë të qëndrojë aty ku është.

Kush është forca më e madhe mbështetëse pro Bashës? Janë mijëra të rinj e të reja, të shkolluara në Shqipëri dhe jashtë saj, që nuk kanë lidhje me të kaluarën dhe e gjejnë vetën te modeli europian i lidershipit të Bashës. Po ashtu te Basha e gjejnë vetëm ata qytetarë të thjeshtë, të diskriminuar dhe intelektualët e lënë në harresë nga agresivitetit dhe menefregizmi i pushtetit aktual.

Share: