E diela e 1 Majit 1994 nuk ishte një ditë e zakontë. Ora 14:00 shënonte fillimin e garës për Çmimin e Madh të Imolas në “Formula 1”. Atë fundjavë, garat e shpejtësisë në shtetin e vogël të San Marinos e kishin bërë një paralajmërim të trishtë. Dhe trishtimi, jo vetëm do të vazhdonte, por do të shtohej për të goditur botën mbarë.
Kur makina njëvendëshe e “Williams” do të refuzonte të kthehej majtas për të goditur me ashpërsi mbrojtëset anësore, Airton Sena do të niste të jetonte tre orët e fundit të jetës së tij. Makina nuk iu bind teksa garonte me rreth 300 km/orë dhe timoni me të cilin kishte “dialoguar” në dhjetëra gara nuk do të ishte miku i tij më i mirë.
Një fluturim me helikopter në Bolonjën aty pranë do të ushqente me shpresë miliona adhurues të tij dhe të garave të shpejtësisë. Mbi të gjithë, Brazili që e donte si fëmijë të vetëm, do të mbante frymën.
Pasditen e 1 Majit, brazilianët do të zhyteshin në zi, miliona dashamirës do të trishtoheshin dhe botës do t’i largohej një personazh, i cili kishte dalë me kohë përtej gardheve të “Formula 1”. Shpejtësia ishte dashuria e tij prej fëmijërisë dhe ndoshta mënyra e vetme që të prehej në paqe.
Sigurisht ai do të donte të bënte edhe më tepër kilometra, të ngjitej në çdo podium ku festohej me shampanjë pas garave dhe të vazhdonte betejat e tij. Ato beteja brenda pistës ende edhe sot kujtohen si kohët më të bukura të “Formula 1”. Airton Sena ishte një pilot i veçantë.
Ai pëlqente shiun dhe parakalimet, sepse e dinte se ato ishin sharmi i garave të shpejtësisë. Ndaj tifozët e pëlqenin, sepse i shijonin spektaklin, që Sena e dhuronte pa kursim.
Luçio Dala do të ulej mbi pentagram për t’i dedikuar një këngë dhe miliona të tjerë do ta kujtonin me trishtim dhe admirim Airton Senën. Ai vendosi të fluturonte për t’iu bindur Zotit që e kishte besuar aq shumë.
Mëngjesin e 1 Majit kishte kërkuar Biblën dhe teksa shfletonte faqet e saj, ndoshta e kishte kuptuar se Zoti kishte vendosur ta thërriste në gjirin e tij. Ndaj teksa e këshillonin të mos ulej në timonin e makinës që do ta çonte drejt vdekjes, braziliani i shpejtë nuk mund të dëgjonte.
Ai kishte vendosur ndërkohë një dialog të veçantë me dikë që e thërriste. Mënyra e vetme dhe më e bukura që ai të shkonte atje ishte ajo që Airton Sena zgjodhi: Të fluturonte me shpejtësinë e tij. Ai fluturim kishte një destinacion të sigurtë dhe Airton këtë e dinte. Kishte mijëra arsye që ai të mos garonte në Çmimin e Madh të Imolas. Por kishte vetëm një arsye që ai të shtonte kilometrat e shpejtësisë në makinën që ishte kthyer në ashensor drejt qiellit, ku ai tashmë dëshironte të shkonte dhe qëndronte. Edhe këtë herë ai e fitoi garën e tij. Prej 20 vjetësh, Airton Sena vazhdon të fitojë. Kthesa e çuditshme në “Tamburello” mesditën e 1 Majit 1994 ishte vetëm një stacion i përkohshëm.