Ky është një nga aktet e hakmarrjes së Erion Veliajt ndaj biznesit Neranxi, si “mësim” që të mos i dalim kundër!
Sot, “kriminelit të rrezikshëm” Nikollaq Neranxi iu prish pedana në hyrje të dyqanit të tij tek 21 Dhjetori, nga Bashkia e Tiranës. Kjo për arsye se ai guxoi të dalë e të protestojë para zyrave të Erion Veliajt, kundër tarifave vendore të papërballueshme të cilat ashtu siç u parashikua, çuan në faliment me mijëra biznese në kryeqytet, për t’ja lënë vendin klientëve të pushtetit të Ramës dhe Veliajt që të investojnë paratë e tyre kriminale. Hakmarrja bëhet në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, duke shkelur edhe rregullat që i kanë bërë vetë.
Për të sqaruar Erionin dhe çdokënd që nuk e di ç’do të thotë të bësh biznes, madje në kushtet e terrorit që ky pushtet ushtron për ditë mbi ne që nuk jemi klientët e tyre dhe që kundërshtojmë rrugën e gabuar që po ndjekin me sipërmarrjen e ndershme, pedana është vendosur për këto arsye:
1. Sepse është brenda rregullave, pasi kemi bërë kërkesë në Bashki dhe paguajmë tarifë, sipas dokumentave bashkangjitur.
2. Pedana është aty, sepse kur bie shi përdoret për të vendosur thasë me rërë sipër që të mos përmbytemi, pasi kjo Bashki, pavarësisht se na rrjep nga taksat, nuk e ka zgjidhur akoma këtë problem dhe në mes të Tiranës, dyqanet tona përmbyten sapo bie 10 minuta shi.
Erion, të bëj thirrje të mbash duart larg biznesit tim, mos e përdor karriken për hakmarrje se vetëm do diskreditohesh. Mua nuk më mposht dot pasi jam në të drejtën time, punoj me ndershmeri, ju duroj për ditë ju që kërkoni të ma bëni të pamundur aktivitetin tim dhe paguaj taksat dhe tarifat e tua skandaloze!
Nikollaq Neranxi
P.S. Shikojeni videon deri ne fund!