Një studim kombëtar që synon të zbulojë më shumë mbi sjelljen shëndetësore të nxënësve shqiptarë të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç ka ngjallur indinjatë tek prindërit.
Rezultatet e studimit supozohet të bëhen të ditura pas përpunimit të një pyetësori të cilit do t’i përgjigjen fëmijët.
Ndër të tjera në pyetësor nxënësit duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me ngacmimet seksuale, ku u kërkohet të përgjigjen nëse kanë kryer seks anal, vaginal apo oral.
Ministria e Arsimit ka mbështetur kërkesën për realizimin e këtij studimi në shkollat e planifikuara në shkallë vendi.
Kryetarja e Komisionit për median, Albana Vokshi i ka drejtuar ministres së Arsimit Lindita Nikolla një kërkesë ku parashtron problemin dhe shtron disa pyetje.
“Një grup prindërish kanë adresuar një problem shqetësues, të cilin e konsideroj plotësisht legjitim, në lidhje me një studim kombëtar për “Vlerësimin e sjelljeve shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore” që do të ndërmarrë instituti i Shëndetit Publik me mbështetjen e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku nxënës të moshës, 11, 13 dhe 15 vjeç do t’u shpërndahet një pyetësor.
Në pyetjet 45 e në vazhdim, në një gjuhë që unë e konsideroj krejt të papërshtatshme për fëmijë në ato mosha, nxënësve u kërkohet të japin mendimin e tyre në lidhje me ngacmimet seksuale e madje shkohet dhe më tutje ku u kërkohet të përgjigjen nëse kanë kryer seks anal, vaginal apo oral”, thuhet në kërkesën e Vokshit./Opinion.all