Nga Suela Gera
Flutura, udhëton pothuajse çdo ditë me furgonin e linjës për të sjellë vajzën në qendrën multifunksionale të Pogradecit.
Sepse Ela aty, buzëqesh!
“Kënaqet kur e sjell këtu. Bën punime me dorë, shkruan numrat. Madje dhe në shtëpi bën dhe detyrat që i jep mësuesja” më thotë Flutura.
E ulur në një karrige, pret jashtë, në oborrin e qendrës, derisa vajza e saj, 23 vjeçe të dalë. Më pas së bashku do i hipin sërish furgonit për tu kthyer në shtëpi në fshatin Rrëmenjë.
Është ora 12:00. Një mësuese del nga godina dy katëshe duke mbajtur për dore Elsën (emër imagjinar). Tek dera ia dorëzon të ëmës. Edhe ajo si Flutura priste në oborr.
Edhe atë, si Fluturën, furgoni do e kthejë sërish në Rrëmenjë.
Vajza 11 vjeçe e cila vuan nga sindromat e autizmit, trembet kur na sheh. Për të, jemi “miq të paftuar”.
Në klasën ku vizatohet, bëhen byzylyçe, mbajtëse lapsash prej kartoni është dhe Klementi.
Buzëqeshjen s’e ndali as kur grupi i të panjohurve hyri në klasë. Përballë tij qëndron e ulur e ëma, një grua e moshuar e veshur me të zeza.
Nuk ia ndan sytë dhe shikon me vëmendje çdo veprim të djalit që kishte qenë vetëm 7 vjeç kur hyri për herë të parë në këtë godinë dhe tani, 30 vjeç, vazhdon ta frekuentojë .
Në katin e dytë në sallë e fizioterapisë gjejmë Odisean, me diagnozën kontraktim spastik. Me një shall bën ushtrime për tërheqjen e shputës së këmbës.
“Kur erdhi këtu, disa muaj më parë, në tokë vinte vetëm majat e gishtave t këmbës së djathtë. Sot arrin të vendosë shputën. Por terapia duhet të vazhdojë” thotë Kristian Spirollari fizioterapisti, teksa ndihmon Odisean të hipë një tabelë ekuilibruese.
Si u ngrit qendra?
Godina dy katëshe në Pogradec ishte ndërtuar 24 vite më parë me qëllim hapjen e disa klasave për arsim special për fëmijët me aftësi të kufizuar. Më pas u la në mëshirë të fatit dhe çfarë binte jashtë hynte brenda.
“Nuk ishim ne që erdhëm këtu. Ishin mësuesit dhe bashkia që na kërkoi ndihmë. Ngritën zërin dhe insistuan në rikonstruksionin dhe sjelljen e një qasje të re për shërbime komunitare dhe arsim gjithëpërfshirës ” na tregon Anduena Shkurti, menaxherja e projektit, teksa presim të hyjmë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.
Në maj 2017 përurohet rikonstruksioni i godinës. Është bërë me ndihmën e PNUD-it, në kuadër të Programit “Mbështetja e Kombeve të Bashkuara për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”, financuar nga Agjensia Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatuar në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe Agjensinë e Kombeve të Bashkuara. Bashkia Pogradec siguron operimin dhe mirëmbajtjen e qendrës.
Kush përfiton shërbime?
E kthyer në një Qendër komunitare multifunksionale ajo është në dobi të fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve dhe të rinjve nga komunitete të margjinalizuara
Anila Bedri, përgjegjëse e Qendërs Komunitare multifunksionale na tregon: “Qendra është në shërbim të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara nga mosha 4- 38 vjeç. Kemi dy grupe të rinjsh, i pari nga mosha 15- 18 vjeç dhe i dyti nga mosha 18 vjeç e lart. Aktualisht marrin shërbimin tonë 48 fëmijë. Shërbimet janë falas dhe ofrohen si paradite dhe pasdite, pasi ka fëmijë që frekuentojnë shkollën paradite dhe pasdite marrin shërbimin në qendër.”
Ofrohen terapi individuale, grupi, terapi mësimore si dhe zhvillimi e aftësi fizik.
11 profesionistë mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në: Zhvillim dhe edukim, mësim, riaftësim fizik, terapi pune, apo seanca këshillimi.
Po 450 të tjerët?
Kryetari i bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri na tregon se janë gjithsej 480 fëmijë me aftësi të kufizuara që jetojnë në bashkinë që ai drejton.
Momentalisht vetëm 48 prej tyre u jepet shërbimi në këtë qendër.
“Ngritja e qendres ditore ishtë hapi i parë me qëllim që të kishim disa kushte për personat me aftësi të kufizuar “ na tregon ai.
Por godina momentalisht nuk ka kapacitete akomoduese për përballimin e një numri më të madh.
Po nuk është vetëm kaq, një numër fshatrash si Mokër, Selcë e Sipërme, Hoshtecë, Bishtricë nuk kanë as infrastrukturë rrugore që do të lejonte familjet të transportojnë fëmijët e tyre në këtë qendër.
“Në planet tona është të ofrojmë specialistë që të jenë sa më afër këtyre zonave. Por që kjo qender të shtrijë aktiivitetin për të gjithë është realisht e pamundur”na thotë kryetari.
Ti ndihmojmë, po si?
Fëmijët kryesisht vijnë nga familje të varfra dhe me të ardhura të pakta. Vendosja në shërbim të qendrës të një automjeti do të ndihmonte në realizimin e lehtësirave të transportit të fëmijëve edhe nga zonat periferike të Pogradecit.
“Është e vështirë. Ato para që merr (e ka fjalën për Kempin) ia shpenzoj për ilaçet dhe rrugën e saj këtu” na tregojnë Flutura dhe bashkëfshatarja e saj. Kërkojnë që institucioni të kishte një automjet që do të bënte transportin e fëmijëve nga shtëpia në qendër dhe anasjelltas.
Por për bashkinë është e vështirë dhe kryetari na tregon me shifra borxhet dhe detyrimet e papaguara që janë grumbulluar pas zbatimit të reformës territorial dhe kalimit në administrim të rrugëve rurale .
“Po shohim nëse mund të bëjmë sigurimin e transportit sidomos nga rrethinat e Pogradecit. Po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me shërbimet private të transportit që për familje të tilla shërbimi tu jepet falas. Bashkia nuk merr dot përsipër ta mbulojë me fondet e saj. E kemi të pamundur për shkak të borxhit që bashkia ka trashëguar. Borxhi ka qenë 550 milionë lekë të reja, dhe ky u shtua për shkak të vendimeve gjyqësore (jo për fajin tonë) që na urdhërojnë të paguajmë dëmshpërblime. Absurdi tjetër është se me marrjen në administrim të rrugëve rurale morëm dhe detyrimet që ndërmarrjet e rrugëve rurale kishin për të paguar.” na tregon Kapri
Nënat heroina
Nëna si Flutura, mamaja e Odiseas apo e Elsës a e Klementit janë heroina. U janë përkushtuar totalisht rritjes së aftësimit arsimor, fizik dhe zhvillimit të fëmijëve. Çdo ditë vihen para sfidave të reja me të cilat përballen fëmijët e tyre.
Nuk bëhet fjalë për karrierë, punë jashtë shtëpie apo shëtitje të qeta buzë liqenit. Me zemrën të fortë dhe shpresën se e nesërmja do jetë më mirë, kanë pranuar fatin dhe nuk heqin dorë nga misioni për t’u dhënë fëmijëve më të mirën e mundshme.
“Sikur të kishte një automjet që të vinte ta merrte dhe të ma sillte në shtëpi vajzën time. “ na thotë mamaja e Elsës
“Është dhe një problem tjetër. Nëse do sigurohet transporti falas problem është shoqëruesi. Duhet patjetër që njëri prej prindërve të shoqërojë fëmijën pasi furgoni i linjës mund të bëjë ndalimin në stacionin përkatës por jo të sjellë fëmijën në qendër. Për fshatra të thellë kjo është e pamundur pasi nuk ka infrastrukturë rrugore “na thotë kryetari i bashkisë.
Pyetja është: Të iki apo jo në Amerikë?
E ndërsa në tavolinën e kryebashkiakut janë njëmijë halle, – nga borxhet e pashlyera të rrugëve, ndotja e bregut të liqenit pas reshjeve, përmirësimi i kushteve për personat me aftësi të kufizuara, rrugët e parregulluara…. – halli i njëjmijë e njëtë që duhet të zgjidhë tani kryebashkiaku është: Të iki, apo të mos iki në Amerikë?
E sigurtë është se, nëse zgjidh këtë hall, një mijë të tjerat i lë pas.
“Si për forcë të zakonit edhe familjarët e mi aplikuan në lotarinë amerikane. Qëlloi që doli. Unë kam një post dhe kam përgjegësi”
Po nëse nuk ikën në Amerikë, a ka ndërmend Eduart Kapri të kandidojë për një mandat të dytë për drejtimin e Pogradecit?
Sërish nuk të jep një përgjigje konkrete por na kujton se e ka në dorë partia.
Sikur?
Sikur qeveria të krijonte infrastrukturën e nevojshme për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi ndryshe në kopshte, shkolla.
Sikur institucionet vendore të kishin një zë të veçantë financiar në buxhet për planet lokale për përfshirjen e këtij grupi të margjinalizuar.
Sikur të gjithë personave me aftësi ndryshe tu kijoheshin kushtet për të marrë shërbime sociale, shëndetësore dhe të specializuara që u takojnë me ligj dhe konventë
Atëherë më besoni, ne do të ishim me kohë vend i Bashkimit Europian. Sepse në BE dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm. Ai duhet të respektohet dhe të mbrohet. Gjithkush ka të drejtën për të jetuar për t’u arsimuar dhe për të patur akses në trajnim profesional dhe të vazhdueshëm.
Por dhe sikur çdo ditë në edicionet e lajmeve të kishte kronika dedikuar jetës së vështirë të personave me aftësi të kufizuara.
Sikur çdo ditë gazetat të hapeshin me lajme ku i jepet zë zërave të personave me aftësi ndryshe.
Sikur portalet të shkruajnë çdo ditë për historitë e fëmijëve e familjeve të tyre.
Të bojkotojnë cicërimat në facebook të kryeministrit, kundërshtarëve politikë, fushatave gju më gju, propagandës së videove “made in ERTV”, reagimeve shpesh arrogante dhe të padenja për një kryeministër, shpurës ministrore por dhe politikanëve të çdo kahu politik.
Sikur të shkruanim më shumë për jetën në familjet e personave me aftësi të kufizuar sesa të personave VIP.
Sikur ata të mos lihen vetëm në protestat para kryeministrisë, a bashkisë për të kërkuar kushte për të jetuar me DINJITET.
Sikur të jenë të shumtë qytetarët që i bashkohen ZËRIT të tyre që të dëgjohet më FORT, atëherë ditët e keqqeverisjes, abuzimeve dhe arrogancës do të jenë drejt fundit
Ky vend ka nevojë për ndryshim të madh dhe në BE nuk mund të futemi me një qeveri, – qoftë kjo e majtë, e djathtë, apo mikes – që nuk i siguron infrastrukturën e duhur në shkolla e kopshte fëmijë me aftësi ndryshe.
Nuk respekton dhe garanton të drejtën e tyre, ndihmon dhe garanton integrimin social dhe profesional dhe pjesëmarrje në jetën e komunitetit.
Ata NUK DUAN LËMOSHË, duan të TË DREJTAT që u takojnë. Duan të jetojnë me dinjitet dhe TË MOS MBETEN PAS.
Ah sikur?
/oranews.tv/