Kanë kaluar gati katër dekada që nga vdekja e Josip Broz Tito dhe legjendat rreth momenteve të tij të fundit dhe sot janë të ndërthurura me të vërtetën.
Sëmundja e Titos dhe ditët e fundit të jetës u mbyllën në velin e sekreteve që i lejonin shumë vetave të flisnin se si e kanë vizituar, madje edhe kanë folur me të.
Predrag Laleviq, një mjek personal i Titos, tha më vonë se të gjitha rrëfimet janë shpikur, pasi Broz ishte në gjumë nga 26 shkurti, edhe pse kjo nuk shkruhet askund në raporte, transmeton KosovaPress.
Mjeku Laleviq, i cili mbi 16 vjet ishte me Titon në 106 udhëtime jashtë vendit, përshkruan katër muajt e fundit të jetës së kreut të ish-Jugosllavisë në një spital në Lubjanë.
Laleviq ishte pjesë e një konsorciumi që kishte luftuar për jetën e mareshalit për katër muaj. Ai do të mbetet përgjithmonë në historinë e shtetit të mëparshëm – ai ndali aparatet të cilat mbanin Titon gjallë.
“Në mëngjes filloi hemodializa. Megjithatë, pas një kohe, pati një rënie të presionit të gjakut, i cili nuk u rregullua, andaj u desh të ndalej hemodializa. Të gjithë anëtarët e Bordit Këshillimor, mjekët që merrin pjesë, por edhe infermieret që kuronin presidentin, u mblodhën rreth shtratit. Tito po shuhej ngadalë,” përkujton Laleviq.
Ai thotë se para vdekjes, Tito kishte rënë në një lloj etheje, kështu që filloi të këndonte në rusisht dhe të ëndërronte kinezët, transmeton KosovaPress.