Ish-Presidenti Bamir Topi, i ftuar ne emisionin Studio e Hapur te gazetares Eni Vasili, tha se është i bindur që Partia Demokratike e drejton ende ish-kryeministri Sali Berisha.
Topi ka dhënë edhe një arsye se përse sipas tij, Berisha ka hequr nga partia personalitete që përbëjnë memorien e saj, si Jozefina Topalli.
“Unë nuk e kam me zotin Basha, por me institucionin e kryetarit. Kam pasur pakënaqësitë e mia me disa që janë larguar padrejtësisht nga PD.
Unë s’kam pasur marrëdhënie normale gjatë detyrës sime me zonjën Topalli se ishte pjesë e mendimit politik të Sali Berishës, por kjo s’më heq mua asnjë lloj të drejte të them që është bërë një gabim i madh që i hiqet memoria zonjës Topalli e të tjerëve.
Marr Topallin se kemi bashkudhëtuar në momente shumë të vështira. Sot vjen një njeri që sipas meje s’është vendimmarrja e tij, s’ka gjëra në atë parti politike që bëhen pa ideimin e mjeshtrit të madh Sali Berishës”.
Eni Vasili: Pse do i interesonte Berishës të hiqte ish bashkëpunëtorët e tij?
Topi: Unë duhet të rri gjatë që t’u jap atmosferën e brendshme. Historia është që në përfundim do të lërë një PD pa memorie të bashkëkohësve të tij, do t’ia lërë një personi që tek e fundit drejton një parti politike zyrtarisht, por praktikisht, unë jam i bindur për këtë punë, drejtohet nga Sali Berisha dhe kjo është arsyeja që shpresat që një opozitë do kthehet në mazhorancë, jo janë minimaliste, por janë inekzitente, dhe kjo është arsye që kryeministri aktual, në vend që në mandatin e dytë të bëhet me i butë, bëhet më arrogant se është vetë sistemi që i prodhon këto.
a.s/dita