Home KRYESORE Vajza e Lasgush Poradecit: Si tentoi të vriste veten shkrimtari kur i...

Vajza e Lasgush Poradecit: Si tentoi të vriste veten shkrimtari kur i kërkuan të shkruante poezi për Enverin

Lasgush Poradeci me Maria Poradeci (Gusho) dhe Kostandina.

Në emisionin “Dosja K”, në Report TV, u publikua historia e persekutimit të Lasgush Poradecit, e dëshmuar në ditarët e poetit… Ai thuhet se ka tentuar te vrase veten kur iu kerkua te shkruante nje poezi per Enverin.

“Enver Hoxha ka ditëlindjen, shkruaj një vjershë për të!”
A mund të shkruante Lasgush Poradeci poezi për Enver Hoxhën? Diktatori nuk meritonte as të artikulohej si emër në gojën e këtij poetit. Maria thotë se Lasgushi nuk ia përmendi kurrë, asnjëherë emrin Enver Hoxhës. E quante thjeshtë “Ay”. Por drejtuesit e regjimit kishin pritur me durim. Ishte koha kur dy vajzat e poetit ishin rritur e do të kërkonin të shkolloheshin e më vonë edhe të punësoheshin. Ata e dinin që vajzat ishin pika e dobët e këtij babai që e vlerësonte shkollimin si rrallë kush në Shqipëri. Dhe e dinin sa zemërbutë qe ai, kur bëhej fjalë që regjimi të ndëshkonte të bijat, vetëm e vetëm, për tu hakmarrë ndaj tij.

“Më kujtohet një herë, kanë qenë vitet 1978-1979, me duket se ishte muaji gusht, erdhën në shtëpinë tonë njerëz nga Komiteti i Partisë. Pasi ndenjën pak, i thanë babit që “tani po vjen 16 tetori, që është festa e shokut Enver, datëlindja, dhe ju do të bëni një poezi për shokun Enver”. Pastaj ata u larguan. Atë natë babi ishte shumë i shqetësuar. Hynte, dilte, nervozohej, bërtiste, dhe unë me motrën që ishim të dyja në Pogradec sepse mami ishte në Tiranë, nuk e kuptonim se çfarë kishte”.

Një pistoletë poshtë jastëkut…
Askush nuk mund të dijë ekzaktësisht se çfarë kaloi atë natë nëpër mend poeti. Lasgush Poradeci ishte urdhëruar në njëfarë mënyre të bënte një poezi për diktatorin. Donte apo nuk donte ai, së shpejti do t’i kërkonte regjimit shkollë për vajzat e tij. Por a mund të çeleshin kanatet e botës së tij magjike, për një figurë që ai e refuzonte, e mbante larg gjithë mendimeve të tij. Atë natë me ç’duket poeti kishte çuar ndër mend edhe vetvrasjen. Dhe kjo gjë nuk i kishte shpëtuar Sigurimit të Shtetit.

“Në mëngjes kur u ngrit babi, unë shkova për t’i rregulluar krevatin dhe kur ngrita jastëkun, pashë një pistoletë. Të dyja me motrën u tmerruam dhe e ruajtëm këtë ngjarje të trishtuar në shpirtin tonë sepse nuk kuptonim asgjë.

Kostandina e pyeti: “Baba çfarë është kjo?”. Dhe ai u justifikua duke i thënë: “Më dukej sikur do të vinin për të na vjedhur. Dhe unë e mbajta për t’u ruajtur nga hajdutët”.
Por pas ca kohësh, njëra që na hiqej si mikeshë dhe që futej në shtëpinë tonë, na tha që “Lasgushi atë natë ka dashur të vrasë veten.

Ku e dinte ajo? Pra, ai ruhej dhe të gjithë njerëzit që vinin në shtëpinë tonë jepnin informacione në degë.

Babi gjithmonë thoshte: “Një vdekje ka, dhe unë do të vdes atëherë kur nuk e shikoj më se mund të vazhdoj. Unë nuk mund të shkoj në burg, që të më poshtërojnë ata, se ata të gjithë të burgosurit i kanë poshtëruar, i kanë pështyrë, i kanë rrahur. Dhe më e mira është që unë të vras veten”.

Pas viteve ’90, vjen një person, që edhe ky hiqej si mik i shtëpisë, dhe thotë që: “Atë pistoletën që ka Lasgushi e dua unë sepse është armë e vjetër, dekorative”. Ku e dinte ai që babi im kishte pistoletë? Ku e dinte? Pra ata dinin gjithçka që bëhej në shtëpinë tonë. Nuk di pse u larguan dhe nuk erdhën më për ta kërkuar atë vjershën për Enver Hoxhën, që ishte kot. A ndoshta se do ta bënin më shumë mit Lasgushin, a ndoshta se shkuan e i thanë që ai po vret veten, a ndoshta një fuqi tjetër që nuk di ta shpjegoj, por ata nuk erdhën më dhe nuk e kërkuan. Por, ditari e tregon qartë se çfarë nxirje jete i bënin ata…”

“Nuk shkruaj për atë, unë jam poeti i përjetësisë…”

Maria e tregon me pasazhe mjaft domethënëse raportin e poetit me diktatorin, gjë që shpjegon se bota e tij prej gjeniu ishte vite dritë larg botës së këtij diktatori vdekatar, që s’linte asgjë pas në këtë botë veç krimeve dhe ligësive.

“Babai na thoshte: “Unë e kuptoj që shumë gjëra juve nuk ju ecin, prej meje, se ju nuk keni faj, por tani jeni të vogla dhe nuk e kuptoni, por ju do ta kuptoni më vonë se çfarë babai keni dhe ju nuk duhet ta harroni kurrë që jeni vajzat e Lasgush Poradecit. Unë nuk bëhem dot baba tjetër. Unë nuk shkruaj për atë dhe as fëmijët e mi nuk ia jap atij, por, në qoftë se unë shkruaj për atë, do të thotë që kur të ngordhë ai, do të ngordhë dhe vepra ime. E unë jam poeti i përjetësisë”.

Kurrë s’ia ka përmendur. Kurrë. Emri i Enver Hoxhës nuk është përmendur kurrë në shtëpinë tonë. Kur ishte ndonjë rast që duhej të fliste, thoshte “ay”. Edhe kur vdiq, ai e harroi. Sapo i thamë ne që “baba, ai vdiq”, pas gjysmë ore e harroi. Na shikonte mua dhe motrën që po shihnim televizor dhe na pyeste: “Po çfarë po bëni?”. Ne i thoshim: “Po ka vdekur ay, baba, ka vdekur”. U përgjigj: “Aa, nuk e dija, e kisha harruar”. Atij nuk i interesonte fare ai njeri. Fare.”

Babi thoshte gjithmonë: “Unë jam i pavdekshëm. Këta do të ikin, do shkojnë, kurse unë jam i përjetshëm. Unë do rroj, jam i pavdekshëm”. Ashtu sikurse në një letër që i shkruan Asdrenit ku i thotë: “Vjershëtori nuk rron jetën e vet të vdekur, rron jetën e pavdekur të kombit të vet”./opinion.al

Share: