Në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe Javës së Evropës, është çelur në zemër të kryeqytetit, ekspozita ” urtësia e pashuar”, me vëllime dhe dorëshkrime të moçme të trashëgimisë sonë humaniste dhe shpirtërore.
Në këtë ekspozitë në ambientet e vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, mbretëron kodiku i purpurt i Beratit si dhe pergamenë, fermanë e dorëshkrime të rralla që dëshmojnë rreth 14 shekuj histori.
Drejtuesi i emisionit ‘Opinion’, Blendi Fevziu, ka realizuar një intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido në lidhje me librin e rrallë që zotëron Shqipëria.
Bido theksoi se kjo ekspozitë është një trashëgimi kulturore nga të gjitha komunitetet fetare, dorëshkrime unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin e Evropën; ruhen në zemrën e kryeqytetit shqiptar si Kurani më i vjetër në vendin tonë që daton në shek XV, kodiku i Shkodrës, e një sërë artefaktesh unike si Kodikët e Purpurt.
“Kodikët e Purpurtë të Beratit: Kodiku I dhe Kodiku II të shekullit VI dhe IXX janë pjesë e trashëgimisë kulturore unike botërore. Kodiku i Purpurtë i Beratit, Beratinus I është sot kopja më e vjetër e digjitalizuar që gjendet online në Bibliotekën Digjitale Botërore të UNESCO-s, pra flasim për një pasuri botërore dhe jo vetëm shqiptare”, -tha Bido./Opinion.al