Home KRYESORE Frontex: 45 oficerë në kufi të Shqipërisë, do t’i themi “ndal” fluksit...

Frontex: 45 oficerë në kufi të Shqipërisë, do t’i themi “ndal” fluksit të emigrantëve

Drejtoria e Agjencisë Europiane të Kufijve, Frontex ka konfirmuar faktin se Shqipëria ka hyrë në listën e shteteve përmes së cilave kalojnë emigrantët e paligjshëm.

Në një intervistë për Spiegel Online, drejtori i Frontex, Fabrice Leggeri tha se në pjesën e Greqisë veriore në kufi me Shqipërinë për herë të parë do të vendosen 45 oficerë me qëllim parandalimin e fluksit të emigrantëve.

Ai shton se janë identifikuar rrugët që ndjekin refugjatët nga Greqia veriore; rruga e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë. Në gjuhën teknike të ekspertëve, rruga e identifikuar quhet rruga bregdetare e Ballkanit.

Më 30 maj, një komisioner i lartë i OKB-së është shprehur se në Shqipëri përgjatë muajve të parë të këtij viti janë ndaluar rreth 200 emigrantë, ndërsa në Malin e Zi 1200. Në total për këtë vit, 11 mijë emigrantë kaluan detin nga Turqia për të mbërritur në Shqipëri.

Në intervistën për mediat gjermane, kreu i Frontex shton se në këto shtete ku kalojnë emigrantë të cilët vijnë nga vende me konflikte si Siria, Iraku apo disa shtete të Afrikës mund të vendosen mesatarisht 1500 roje bregdetare për vitin 2018, çka përbën 5-fishin e shifrës së 2015.

Fabrice Leggeri ka thënë se deri në vitin 2027, Komisioni i Bashkimit Europian i ka propozuar Frontex-it ndërtimin e një trupe prej 10 mijë rojesh.

s.a/dita

Share: