Home KRYESORE Gruaja më jepte valium dhe prostituonte në shtëpinë time

Gruaja më jepte valium dhe prostituonte në shtëpinë time

Një qytetar denoncon në “Fiks Fare” se ka rënë pre’ e mashtrimit të një prostitute, e cila jo vetëm i ka vjedhur paratë e kursyera, por i jepte fshehurazi valium për të ushtruar prostitucion në banesën e tij.

Qytetari Lorenc Bajrami i ka denoncuar këto akte në Prokurorinë e Durrësit, por sikur të mos kishte mjaftuar mashtrimi, atë e ka sorollatur edhe prokuroria, e cila ka vendosur mosfillimin e procedimit penal që në muajin shkurt dhe denoncuesi ende nuk ka marrë njoftim.

Lorenci nga Durrësi tregon për “Fiks Fare” se para disa kohësh ka punuar me kompaninë e tij të ndërtimit në Maqedoni. Në Facebook ka njohur Drilona B., që fillimisht i ka thënë jam nga Pogradeci. Ata kanë krijuar një lidhje intime bashkë dhe vajza ka shkuar për të jetuar me Lorencin në Maqedoni. Ai mendonte se ajo ishte e rregullt dhe e kishte prezantuar si gruan e tij te banorët e zonës. Pas rreth një viti, ai shikon disa persona që dalin nga shtëpia e tij, pasi po punonte aty afër dhe i kërkon llogari të shoqes se çfarë kishte ndodhur, duke dyshuar se gruaja e kishte tradhtuar.

Ajo i thotë se aty kishte ardhur një djalë i njohur i lagjes dhe e kishte përdhunuar. Madje, ajo i kishte thënë se kjo nuk ishte hera e parë, pasi e kishin përdhunuar dhe më parë, por gjoja nuk ia kishte thënë se kishte frikë pasi e kishin kërcënuar se do e vrisnin Lorencin. Duke e besuar të shoqen, Lorenci bashkë me të takojnë një avokat dhe përgatisin një kallëzim penal që e çojnë në prokurorinë maqedonase. Pas kallëzimit, Lorenci, për të çuar nderin në vend, bën sherr me “dhunuesin” dhe më pas largohet drejt Shqipërisë. Para se të kryente këtë veprim, ai kishte nisur edhe Drilonën drejt Shqipërisë dhe i kishte dhënë me vete 5 mijë euro.

Pas sherrit edhe Lorenci vjen në Shqipëri. Kur vjen në Shqipëri, ai kërkon Drilonën në Pogradec, por nuk e gjen dhe zbulon se ajo jeton në Leskovik. Ai shkon në Leskovik dhe e bind Drilonën që të jetonin bashkë në Durrës, ndërkohë që për 5 mijë eurot e marra nga Maqedonia Drilona i thotë se i kishte futur në llogarinë e të ëmës së vet.

Pas pothuajse një vit jetë normale në Durrës, avokati maqedonas e kontakton Lorencin dhe i thotë se nga hetimet që janë kryer, rezulton se Drilona nuk është përdhunuar, por ajo ka shkuar me dëshirë, madje në shtëpinë e tij. Në këto kushte, ai kupton se gjatë kohës që ka qenë në Maqedoni, ajo ka përdorur shtëpinë e tij për ushtrim prostitucioni, ndërkohë që atij i hidhte valium në gjellë për të fjetur gjatë natës. Madje, ai kujton se në atë kohë ishte shumë i turbullt dhe që kur i dilte gjumi natën, Drilona ishte zgjuar dhe i thoshte se ishte në tualet dhe ai këputej sërish në gjumë. Pasi kupton gjithë mekanzimin që ka rënë pre e mashtrimit të saj, ai thotë se e detyron Drilonën të bëjë një deklaratë noteriale për përdhunimet që gjoja i kanë ndodhur dhe njofton prindërit e saj që të vinin në fundjavë për drekë te shtëpia e tij.

Ditën e shtunë, në javët e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, Lorenci shkon në punë dhe kur kthehet në darkë, pasi të nesërmen do vinin prindërit e Drilonës, Drilona ishte arratisur. Kishte marrë rrobat, kishte vjedhur 2700 euro që ndodheshin në shtëpinë e tij. Më pas, më 27 dhjetor, ai i drejtohet Prokurorisë së Durrësit me kallëzim penal. Por, që nga ajo ditë e deri në fund të muajit maj, megjithëse ka shkuar disa herë dhe ka pyetur se çfarë është bërë me kallëzimin e tij, ai nuk ka marrë asnjë informacion nga prokuroria.

Pas denoncimit në “Fiks Fare”, Lorenci shkon sërish në Prokurorinë e Durrësit për të pyetur se çfarë ka ndodhur me kallëzimin e tij. Lorenci hyn në Prokurorinë e Durrësit dhe shkon te sekretaria të pyesë se çfarë ka ndodhur me çështjen e tij dhe cili prokuror e ka. Sekretarja i thotë se kallëzimi i tij është ndjekur nga prokurori Bledar Bejko, por që duhet të shkojë te roja, për të pyetur për takim. Lorenci shkon te roja, i cili flet me prokurorin Bejko. Prokurori Bejko i thotë rojës se çështjen e Lorencit nuk e ka ai, por duhet të takojë Ardian Gashin. Në këto kushte, Lorenci merr në telefon prokurorin Ardian Gashi, i cili i thotë se nuk ka çështje me emrin Lorenc Bajrami, por të pyesë prokurorin Bejko se e ka adresuar gabim.

Duke mos gjetur zgjidhje, në prokurori shkon e pyet edhe avokati i Lorenc Bajramit. Avokati i thotë se prokurori Bejko ka mbyllur një çështje tjetër, gjoja se kur ka shkuar Lorenci në Leskovik ka bërë kallëzim edhe në polici, por që kallëzimi që ka bërë me 27 dhjetor nuk është mbyllur, është ende në hetim. Sipas avokatit, hetimi ka zgjatur sepse nuk gjendet adresë e Drilonës dhe se është dërguar letërporosi.

Duke mos ditur se kujt t’i besojë Lorenci për çështjen e tij, pasi e sorollatin nga një zyrë në tjetrën, “Fiks Fare” kërkoi nga Prokuroria e Durrësit informacion mbi këtë çështje. Në përgjigje e saj, Prokuroria e Durrësit deklaron se “lidhur me rastin janë kryer verifikimet e duhura, ku në përfundim të tyre nga ana e prokurorit të çështjes, Bledar Bejko është vendosur mosfillimi i procedimit penal më datë 21.02.2018. Ky vendim i prokurorit është dërguar për njoftim të interesuarve dhe kallëzuesit Lorenc Bajrami me anë të shërbimit postar sipas shkresës përkatëse”.

Por, pavarësisht se prokuroria pretendon se i ka dërguar njoftim Lorenc Bajramit, ky njoftim nuk ka shkuar asnjëherë tek ai. Kjo e vërtetuar jo vetëm nga qytetari, por edhe nga bisedat me përfaqësuesit e prokurorisë, të cilët edhe pas 4 muajsh e sorollatin qytetarin, duke i fshehur faktin se është vendosur që mos të fillojë procedimi penal për mashtrimin që i është kryer. /Top Channel

Share: