Ndonëse është e vërtetë që Italia ka një nevojë të madhe për reforma, ata që ia vënë fajin paaftësisë së brendshme dhe korrupsionit, duhet të shpjegojnë se pse ekonomia italiane u rrit aq fort gjatë periudhës së pas-luftës e deri në Eurozonë. Ka pasur gjë Italia politika më të sakta në vitet 1970 dhe 1980? Nuk besoj.
Arsyeja e vetme për ngadalësimin e Italisë, është bashkimi me një union monetar të hartuar shumë keq, Eurozona, në të cilën ekonomia europiane nuk merr dot frymë dhe të cilën qeveritë gjermane refuzojnë ta reformojnë.
Në vitin 2015, populli grek zgjodhi një qeveri progresive, me sytë nga Europa, që të kërkonin një marrëveshje të re në Eurozonë. Në gjashtë muaj, nën drejtimin e qeverisë gjermane, BE dhe banka e tyre qendrore na shtypën. Pak muaj më pas, gazeta italiane Corriere della Sera më pyeti nëse më dukej demokracia europiane në rrezik. U përgjigja: “Greqia u dorëzua, por demokracia europiane ishte e plagosur rëndë. Nëse europianët nuk e kuptojnë që ekonomia e tyre drejtohet nga pseudo-teknokratë që nuk janë zgjedhur nga populli, të cilët kryejnë një gabim trashanik pas tjetrit, demokracia jonë do të mbetet pjesë e imagjinatës kolektive”.