Mbi 100 deputetë dhe ish-deputetë të Parlamentit Shqiptar kanë shfrytëzuar maksimalisht një privilegj që ua jep ligji, duke futur mjete ‘pune’ në pikat kufitare, pa paguar detyrimet doganore, siç paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë. Pas publikimit të listës së deputetëve dhe ish-deputetëve në tetor të vitit 2017, Shqiptarja.com ka arritur të zbulojë ekskluzivisht mjetet dhe mallrat që ligjvënësish shqiptarë kanë futur nëpër pikat doganore, pa paguar taksa.
Përpos deputetit Fatmir Mediu, i cili ka futur pa paguar detyrimet doganore një aparat telefonik, me vlerë 800 euro, të gjithë ligjvënësit dhe ish-ligjvënësit e tjerë kanë futur makina luksoze në pikat doganore, me vlerë nga 10 mijë euro deri në mbi 100 mijë euro. Mjetet janë blerë dhe sjellë kryesisht nga Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe në Shqipëri, në periudhën nga janari 2013 deri në maji 2018. Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj ka sjellë një makinë nga Britania e Madhe me vlerë 111 mijë euro, pa paguar detyrime doganore.
Halim Kosova ka sjellë dy makina nga Gjermania, konkretisht Benz-ML350 dhe BENZ, S350, me vlerë 63 mijë euro dhe 33 mijë euro, pa paguar detyrime doganore. Edhe pse ligji parashikon shfrytëzimin vetëm një herë gjatë mandatit të këtij favori, bie në sy që disa deputetë kanë sjellë më shumë se sa një makinë, pa paguar doganën. Deputeti Nard Ndoka ka blerë në Gjermani makinë me vlerë 85 060 euro.
Ndërkaq, deputeti socialist Sadri Abazi, ka blerë një makinë ‘BENZ, AMG GT’, në Gjermani, me vlerë 105 mijë euro, pa paguar detyrimet doganore. Edhe deputeti socialist Paulin Sterkaj, ka blerë në Gjermani një makinë ‘TOUAREG’ me vlerë50 mijë euro.
Ish-deputeti i PDIU, Omer Mano, ka sjellë nga Italia makinë ‘RANGE ROVER’, me vlerë 102 500 euro, gjithashtu pa paguar dertimet doganore. Nga ligjit për statusin e deputetit kanë përfituar edhe Flamur Noka dhe Edi Paloka, deputetë të Partisë Demokratike. Ata i kanë konsideruar mjete pune dy makina, duke mos paguar taksën doganore.
Flamur Noka ka sjellë në Shqipëri një makinë ‘BMW 7L’, me vlerë 40 mijë euro, ndërsa Edi Paloka makinë ‘BENZ E 220 BT’, me vlerë 28 616 euro, nga Gjermania. Gjithashtu, ligji është shfrytëzuar edhe nga Anastas Angjeli, i cili ka sjellë në Shqipëri një makinë ‘Audi A8’, me vlerë 87 mijë euro, nga Italia, pa paguar detyrimin doganor. Edhe ish-deputeti i PD, Kastriot Islami, ka blerë ‘BENZ E 220CDI’, me vlerë 24 mijë euro, në Gjermani. Erion Braçe, Bashkim Fino, Genc Pollo etj., kanë marrë gjithashtu makina luksoze pa paguar detyrimet doganore.
Baza ligjore
Neni 17 i ligjit Nr. 8550, datë 18.11.1999 për statusin, i ndryshuar në vitin 2013, parashikon që deputetit i lejohet që vetëm në një rast gjatë mandatit të tij të mos paguaj detyrim doganor për mjetet e punës, që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet. Ligji e specifikon vetëm në një rast dhe vetëm për mjetet e punës që lidhen me veprimtarinë e tij si deputet. Siç duket, mjetet e vetme të punës për deputetët e Parlamentit Shqiptar na qenkërkan vetëm makinat luksoze, disa prej të cilave me vlerë mbi 100 mijë euro.
Privilegjet e tjera
Ky është vetëm një nga privilegjet që deputetët kanë për shkak të statusit të tyre. Deputetit dhe bashkëshortes të tij/saj u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij. Ligji për statusin parashikon gjithashtu se Kuvendi, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, hap në çdo rreth zyra të veçanta për deputetët e maxhorancës dhe opozitës, për çdo rast që ato kanë përfaqësim.
Deputeti përfiton falas kopje të Fletoreve Zyrtare, buletine të Kuvendit ose të institucioneve të tjera qendrore, urdhra dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe urdhëresa, vendime dhe urdhra të organeve të njësive vendore të zonës, ku është zgjedhur. Gjithashtu, institucionet e administratës publike, në të cilat deputetët kanë qenë të punësuar, pas mbarimit të mandatit të deputetit dhe nëse nuk kanë arritur moshën e pensionit, janë të detyruar ta rikthejnë atë në vendin e mëparshëm të punës ose t’i ofrojnë, brenda një viti nga koha e mbarimit të mandatit, një vend tjetër pune të ngjashëm ose të përafërt me atë të mëparshmin.
Lista e parë, deputetët që futën mjete luksoze pa paguar detyrimin doganor
- Astrit Veliaj, makinë 111 mijë euro, nga Britania e Madhe
- Halim Kosova, “MERCEDES-BENZ, S350 BLUETEC 4MATIC”, 63 mijë euro, nga Gjermania.
- Halim Kosova, makinë Mercedes Benz-ML350, 33 500 euro, nga Gjermania.
- Omer Mano, makinë ‘RANGE ROVER VOGUE”, 102 500 euro, nga Italia
- Nard Ndoka, makinë ‘MERCEDES-BENZ S 400 4 MATIC Sedan long’, 85 060 euro, nga Gjermania.
- Sadri Abazi, makinë ‘BENZ, AMG GT,VITI 2015’, 105 mijë euro, nga Gjermania.
- Tom Doshi, ‘MERCEDES BENZ AMG’, me vlerë 68 mijë euro, nga Gjermania
- Edi Paloka, makinë ‘MERCEDES BENZ E 220 BT’, 28 616 euro, nga Gjermania.
- Bashkim Fino, makinë me vlerë 40460 euro, tip MERCEDES BENZ “S350 4 M, V. P. 2011/3498 CC benzine, sjellë nga Gjermania.
- Flamur Noka, makinë ‘BMË 7L’, me vlerë 40 mijë euro.
- Bujar Derveni, makinë ‘TOUAREG’ 54 mijë euro, nga Gjermania.
- Paulin Sterkaj, makinë ‘TOUAREG’ 50 mijë euro, nga Gjermania.
- Robert Bitri, makinë ‘MERCEDES BENZ S350 BLUETEC 4MATIC’, 44 mijë euro, nga Gjermania.
- Anastas Angjeli, makinë ‘Audi A8’ 87 mijë euro, nga Italia
- Kozma Dashi, makinë ‘C-220 d, e re’, 32 mijë euro, nga Gjermania.
- Kastriot Islami, makinë ‘BENZ E 220CDI’ 24 mijë euro, nga Gjermania
- Helidon Bushati, makinë ‘MERCEDES BENZ ML350’, 35 mijë euro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
- Ylli Shehu, makinë me vlerë 29 mijë euro, tip BMË 730d,VITI 2011, CIL. 2993cc, sjellë nga Gjermania.
- Genc Pollo, makinë tip FORD KUGA TREND, viti 2013, nafte, me vlerë 22 883 euro, sjellë nga Gjermania.
- Erion Braçe, autoveturë Mercedes Benz tip GLA 220CDI 4MATIC, VP. 2014, CIL. 2143CC, nafte, me vlerë 25 mijë euro, sjellë nga Gjermania./Shqiptarja.com