Nëse do e shpjegoje me një fjali efektin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor për të frenuar mbiçmimin e monedhës kombëtare, do të tregohej me këto dy krahasime: E para ditën e hënë ku Leku ka rrëzuar të gjitha monedhat dhe e dyta sot, ku treguesit e Euros, Dollarit dhe Paundit janë me shigjeta lart. Të gjitha valutat kanë fituar pikë ndaj Lekut.
Në pika të ndryshme të këmbimit valutor, Euro arriti të kuotohet me 126 Lekë e në disa me 127. Sipas kursit zyrtar Bankës së Shqipërisë, vlera e kësaj monedhe sot regjistroi 125.25 Lekë, duke u forcuar me 0.83 pikë përqindje.
Banka qëndrore njoftoi një ditë më parë blerjen e valutës së huaj përmes operacioneve monetare. Burime zyrtare nga ky institucion thonë se ndërhyrja në treg do të jetë e përkohshme, deri në stabilizimin e inflacionit dhe arritjes së një ekuilibri normal mes Lekut dhe Euros. Megjithatë, të pyetur nga televizioni Klan, zyrtarë të këtij institucioni thanë se nuk do të ketë një shtyrje në kohë të politikës për uljen e përdorimit të Euros në ekonomi. Sipas tyre, faktorët që kanë ndikuar në zhvlerësimin e shpejtë të kursit të këmbimit janë psikologjikë, që lidhen me konvertimin e kapitalit të disa bankave për shkak të shitjes së tyre nga Euro në Lek, kredia e marrë nga KESH e cila është bërë efektive për t’u disbursuar dhe konvertimi i sasive të mëdha të parave nga agjentët ekonomikë.
Por të kontaktuar zyrtarisht nga TV Klan, drejtues të KESH thonë se asnjë transhi i kredisë 218 milionë Euro të dhënë nga BERZH nuk është tërhequr ende dhe se kontrata është amenduar për të tërhequr një pjesë të parave në Lek e një pjesë në Euro. Zyrtarë të koorporatës mohojnë se kjo do të ndikojë në kursin e këmbimit./ Tv Klan