Autoriteti Kombëtar i Rrugëve do të nisë ditën e hënë rehabilitimin e rrugës Tiranë-Durrës, ndë- rhyrje që pritet të përfundojë në fund të muajit qershor. Aksi rrugor Tiranë- Durrës, prej disa kohësh ka pësuar dëmtime serioze në të dy korsitë e saj, çka e ka shndërruar në një burim aksidentesh. Në total, i gjithë projekti do të kushtojë 615 mijë euro, fond me të cilin do të bëhet riparimi i shtresave të asfaltit në të dy kahet e rrugës. Mësohet se në total do të asfaltohen 31 mijë metra katrorë rrugë.
Ndërkohë që dje qeveria bëri të ditur se do të nisë punimet në 7 akse rrugore të rëndësishme në kuadër të programit të investimeve në infrastrukturën kombëtare. Kryeministri Edi Rama ka publikuar dje një video me shtatë akse rrugësh, të cilat do të nisin shumë shpejt punimet dhe do të garantojnë rrugë moderne, sipas standardeve europiane. Në projektet e qeverisë është njoftuar nisja e punimeve për Rrugën e Arbrit, Rrugën KardhiqDelvinë, Bypassin e Tepelenës, Lotin e 5 të Unazës së Madhe të Tiranës, Rrugën Thumanë-Kashar. Po ashtu do të nisin punimet për rrugën Orikum-Llogora dhe rruga Milot-Balldren.
Për kreun e qeverisë, këto vepra publike do të rrisin ndjeshëm ekonominë dhe punësimin në vend. “Me këtë pasqyrë të programit të infrastrukturës kombëtare, që nis këtë vit realizimin e volumit më të madh të investimeve për rrugët e vendit brenda një mandati qeverisës, duke garantuar një transformim shembullor të tyre si edhe rritje të ndjeshme të ekonomisë e të punësimit”, ka thënë Kryeministri.
AKSET KU DO FILLOJNË PUNIMET
Rruga e Arbrit
Rruga Kardhiq-Delvinë
Bypass i Tepelenës
Loti i 5 i Unazës së Madhe të Tiranës
Rruga Thumanë–Kashar
Rruga Orikum-Llogora
Rruga Milot-Balldren