Kampionati botëror i futbollit ka një efekt shumë tërheqës edhe për fansat më pak të interesuar. Në vitin 2014, rreth 3.2 miliardë njerëz i panë ndeshjet, ndërsa këtë vit priten edhe më shumë ndjekës të turneut në Rusi.
Tërheqja e Kupës së Botës është aq e madhe saqë ka një efekt të ndjeshëm edhe në tregjet financiare, pasi shitësit dhe agjentët, si kushdo tjetër, e kthejnë vëmendjen e tyre nga puna tek loja.
Një studim i Michael Ehrmann dhe David-Jan Jansen, ekonomistë nga BQE dhe banka qendrore e Holandës, llogaritën impaktin e kampionateve të viteve 2010 dhe 2014 në volumet e shitjeve. Efektet ishin veçanërisht të mëdha kur ekipi kombëtar luante gjatë orëve të hapjes së tregjeve. Kështu, në 2014, kur përfaqësuesja vendase luante gjatë orëve të bursës, volumet e bursës së atij shteti uleshin me mbi 48% të atyre të zakonshëm. Kjo shifër vlen edhe për kampionatin e vitit 2010, kur volumet tregtare ranë me rreth 36%.
Autorët e studimit zbuluan gjithashtu se ka edhe një efekt në çmime, si pasojë e mungesës së vëmendjes, kur çmimet në bursën e shtetit që luante shkëputeshin nga çfarë po ndodhte në tregjet financiare botërore në atë moment.
Por nuk përfundon këtu. Duke qenë se futbolli bëhet më interesant kur dikush shënon një gol, volumi i bursës ulej me 10% të tjera kur shënonte secili prej ekipeve që luante, shkruan scan.tv. Pas euforisë së ndeshjes efekti zgjat akoma në kohë, pasi duhen 30 deri në 60 minuta pas përfundimit të ndeshjes që tregtimit të kthehet në gjendje normale. Tregtarët më të mençur, si dhe algoritmet mund të gjejnë mënyra për të përfituar nga rënia e likuiditetit dhe lëvizjes jo në sinkron të çmimeve gjatë kohës së ndeshjeve./360grade.al