Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit, zotin Christian Lange dhe delegacionin që e shoqëron.
Gjatë takimit zoti Balla e falenderoi përfaqësuesin e Qeverisë gjermane dhe të Bundestag-ut për mbështetjen e fortë për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu për vijimin e procesit me hapjen e negociatave për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë. “Jemi në një moment historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të anëtarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse kemi ende shumë, shumë punë për tu bërë vend anëtar”, tha z.Balla.
Më tej ai theksoi se Gjermania ka asistuar hartimin e Reformës në Drejtësi dhe po mbështet plotësisht implementimin e saj. Procesi i Vetting-ut po ecën sipas pritshmërive. Zoti Balla e informoi Sekretarin Federal Lange se KPK deri tani ka shortuar dhe ka nisur hetimin administrative për dhjetra çështje, ndërkohë që çdo javë ka vendime për gjyqtarë apo prokurorë që kalonë në sitën e Vetting-ut.
“Përgjatë këtyre 30 viteve, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliardë Euro direkt dhe po kaq indirekt. Do të dëshiroja të vlerësoja rolin e zyrës së Kfw dhe GIZ. Për ne janë shumë të rëndësishëm edhe si mbështetës, edhe si partnerë, që janë shumë aktiv në koordinimin e ndihmës së huaj duke marrë rolin e donatorit kryesor bilateral në shumë sektorë të zhvillimit të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e energjisë, infrastrukturës ujore; arsimit dhe formimit profesional etj.”, u shpreh më tej kryetari i grupit kuvendor socialist.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit zoti Christian Lange u shpreh se që nga vizita e tij e kaluar në Tiranë, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të dukshëm përpara në rrugën e saj europiane. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë.
Gjermania si iniciuese, e konsideron Procesin e Berlinit një etapë të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, rrijes së bashkëpunimit rajonal, infrastrukturë, përmirësimit të konektivitetit në energji, komunikim dhe rritjen e bashkëveprimit dhe shkëmbimeve mes vendeve të Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim zoti Balla shoqërohej nga deputetët Klotilda Bushka dhe Ervin Bushati.