Kur Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave për çelikun dhe aluminin, synimi ishte goditja me një gur i dy zogjëve; Kanadasë dhe Bashkimit Europian.
Si BE, ashtu edhe Kanadaja reaguan duke njoftuar se do të ndërmarrin hapa të ngjashëm duke vendosur tarifave për një sërë produktesh amerikane. Por, deri më tani asnjë vendim nuk është marrë.
Pavarësisht kërcënimeve të BE-së dhe Kanadasë, Presidenti amerikan vazhdoi me planin e tij dhe pas tarifave të çelikut dhe aluminit nisi punën për një tjetër masë drastike, që këtë herë shënjestronte Kinën.
Uashingtoni njoftoi vendosjen e një takse prej 25 për qind për produktet kineze që hyjnë në tregun amerikan. Taksat shënjestrojnë kryesisht teknologjinë dhe administrata Trump e argumenton vendimin si të domosdoshëm për të mbrojtur vendet e punës dhe avantazhin e teknologjisë amerikane përballë revanshit të asaj kineze.
Por, Pekini kishte paralajmëruar që nuk do të rrinte duarkryq dhe i mjaftoi vetëm një orë pas firmës së Donald Trump që rrit në 25 për qind taksat për produktet kineze, që të hakmerrej me të njëjtën mënyrë.
Në shënjestrën e Pekinit janë importet bujqësore dhe industrisë së rëndë, dy fusha që njihen si mbështetësit më të mëdhenj të Donald Trump gjatë fushatës dhe presidencës së tij.
Lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë është reflektuar me tensione në tregjet globale, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se nga kjo përplasje pasojat do t’i vuajnë qytetarët amerikanë, që do të detyrohen të paguajnë më shumë për produkte që deri para vendosjes së taksës i blinin më lirë.
Taksat e Donald Trump përfshijnë mbi 700 produkte kineze dhe do të hyjnë në fuqi në dy faza. Faza e parë nis më 6 korrik dhe aplikohet për një shportë prej 515 produktesh, ndërsa pjesa tjetër do të nisin të taksohen në një moment të dytë.
360grade.al