Nga Era Cela
Është një ndër këngëtaret më të kërkuara për momentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe më të suksesshmet artistikisht. Këngëtarja e mirënjohur shkodrane Valbona Peraj është një nga artistet shqiptare që nuk ndalet së dhëni kontributin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo që ka aktivitet me shiptarë.
Peraj nuk mund të mungonte në 106-vjetorin e organizatës Vatra, që operon prej kaq shumë vitesh atje.
“Ishte një sukses mbrëmja gala e Shoqatës “Vatra”, në 106-vjetorin e themelimit të saj, mund të them që është shoqata më historike në botë”, thekson Valbona Peraj, pjesëmarrëse në aktivitetin ne fjale.
Të ftuar në këtë mbrëmje kanë marrë pjesë ambasadorë shqiptarë dhe të huaj, guvernatorë, biznesmen dhe të gjithë shqiptarët më me influencë në SHBA.
Këngëtarja Peraj ishte përkrah këngëtarëve të tjerë të mirënjohur si Gëzim Nika, Arbërie Hadergjonaj, Hajro Ceka Besim Moriqi etj. Por Bona nuk mund të mungonte dhe në një Paradë të madhe që bëhet nga shqiptarët në SHBA ku marrin pjesë shumë shoqata dhe shumë senatore e biznesmen.
Një aktivitet ky me pjesëmarrjen e 18 mijë shqiptareve. Ku janë bllokuar rrugët kryesore në Manhattan. E në fakt, si mund të ndodhte ndryshe pasi Bona është mësuar që ku te vendose këmbën të korri sukses përndryshe nuk ngjitet në skenë.
Ajo që vlen të theksohet është se këngëtarja Peraj merrte pjesë për herë të parë në një paradë të tillë dhe ishte një sukses i vërtetë pasi mes duartrokitjesh shqiptarët kërkuan rikthimin e këngëtares në skenë pasi ajo e ndezi skenën me këngën “Jam Arbnore”.
Rrugëtimi i Bonës vazhdon edhe më tej me turne të ndryshme nëpër Amerikë dhe kudo nepër botë. Këngëtarja thekson se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë për të pasi e pret një tur koncertesh, si në Kanada, Amerikë, Londër etj.
Një tjetër gjë e bukur që Bonës i ndodh shpesh herë është se kudo që ajo interpreton në mbrëmje koncertesh, apo gëzime të ndryshme familjare atë e mbushin plot me dollarë nga këmbët te koka dhe këtë e tregojne mjaft mirë fotot që këngëtarja ka postuar në rrjetet e saj sociale.
Po ashtu Bona thotë se është duke punuar për realizimin e 2 këngëve dhe klipeve të reja me kompozitorin e mirënjohur Shpëtim Saraçi. Kjo verë e pret atë dhe me një klip dhe këngë të re realizuar nga studio e grupit Elita 5.