Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se nga verifikimet e kryera nuk rezulton që të ketë pasur ndonjë denoncim nga ana e 18- vjeçares ndaj ish-të dashurit, Xhafer Mata.
Pavarësisht se nga dëshmitë e të njohurve e të afërmve të vajzës thuhet se autori e përndiqte dhe i sillte vazhdimisht shqetësime, burime nga Policia thonë se ajo nuk kishte bërë kallëzim.
I vetmi rast kur ajo është paraqitur në Komisariatin nr.3, ka qenë disa ditë më parë, ku ajo është nisur për ta denoncuar për përndjekje 31-vjeçarin Xhafer Mata, por më pas është tërhequr.
Ajo është pritur nga oficerët e Policisë dhe ka parashtruar problemin. Nga ana tjetër, shërbimet e Komisariatit nr.3 kanë thirrur për të dhënë shpjegime edhe autorin, i cili ka mohuar përndjekjen, por ka thënë se herë pas here e takonte në rrugë dhe i kërkonte që të rikthehej prapë tek ai.
Më pas Mata i ka kërkuar falje 18-vjeçares për shqetësimet që i ka sjellë dhe i ka premtuar në ambientet e Policisë se nuk do e bezdiste më dhe do e linte të qetë. Në këto kushte, viktima është tërhequr nga ideja për ta denoncuar dhe ka vendosur që të mos bëjë kallëzim.
Ky ka qenë i vetmi rast kur vajza i është drejtuar për ndihmë Policisë, por pa zyrtarizuar pretendimet e saj. Nuk ka pasur asnjë moment tjetër, sipas Policisë, që ajo të ketë shfaqur ankesa apo të ketë lajmëruar Policinë për ndonjë shqetësim që mund t’i ketë sjellë autori./ PANORAMA