Home KRYESORE Vrau 19 vjeçaren dhe veten, babai: Dua të takoj babanë e Xhuljetës

Vrau 19 vjeçaren dhe veten, babai: Dua të takoj babanë e Xhuljetës

Djali i tij, Xhafer Mata vrau veten disa minuta pasi i kishte marrë jetën një vajze vetëm 19 vjeçe. Bëhet fjalë për tragjedinë e Don Boskos, ku Xhuljeta Cuni u vra në rrugë ditën kur po shkonte në provimin e maturës.

Thuhet se Xhafer Mata e përndiqte 19 vjecaren, dhe për “dashurinë” ndaj saj kishte ndarë edhe bashkëshorten, me të cilën kishte një fëmijë 1 vjeç. Në polici po kështu është një denoncim i bërë nga vajza e re më 4 Maj që e akuzonte Matën për përndjekje. Por ngjarja e rëndë nuk u parandalua.

Sot në shtëpinë e 31 vjecarit ka pllakosur zia. I ati i Xhaferit, Taip Mata thotë se kërkon të takohet me familjarët e vajzës, ndërsa i vëllai i tij thotë se nëse policia do kishte vepruar, tragjedia do ishte shpangur.

Babai i 31-vjeçarit, me mirësjellje na kërkon që të jemi të duruar për aq kohë sa ende nuk janë bërë 7 ditë nga ngjarja e rëndë. Na kërkon që të mos i rëndojmë më shumë, qoftë ata, qoftë edhe familjen e vajzës. Ndërsa tregon se është në pritje të një takimi me familjarët e Xhuljeta Çunit, shkruan Panorama.

“Jam në pritje të një përgjigjeje. Përmes një njeriut tim, i kam çuar fjalë babait të vajzës. Tani po pres që të takohemi dhe të bisedojmë”, shprehet Taip Mata. Ai thotë që ende nuk është momenti për të folur rreth ngjarjes së rëndë që ka ndodhur. “Çdo fjalë e thënë pa menduar, në mërzitje e sipër dhe në trishtimin që na ka rënë për pjesë të përjetojmë, do na rëndonte më shumë ne dhe ata”, shprehet ai.

Ndërkohë, babai i Xhaferit pranon se ngjarja mund të parandalohej. Sipas tij, nëse Policia apo Prokuroria do e kishin vënë në dijeni familjen e Xhuljeta Çunit, gjërat sot mund të ishin ndryshe./Opinion.al

Share: