Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka zhvilluar një takim me biznese të sektorit të shërbimeve dhe turizmit në Himarë dhe Dhërmi. Me fillimin e qershorit, ka nisur zbatimi i planit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Ahmetaj tha se qeveria është shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe secili nga institucionet përgjegjëse ka detyrimin për të monitoruar, nga Tatimet, shëndetësia, policia, elementët e trafikut, siguria në plazh etj.
Duke folur për turizmin, Ahmetaj tha se sektori këtë vit po tregon ritme shumë pozitive, duke iu afruar nivelit dy-shifror. Në përgjigje të sfidës së rritjes së shifrave, ai tërhoqi vëmendjen në dy elementë kryesorë, formalizimi dhe cilësia e shërbimeve.
“Siç e shikoni, qeveria i ka dhënë një rëndësi të veçantë formalizimit të ekonomisë. Brenda formalizimit të ekonomisë, unë patjetër i vë theksin gjithë përgjegjësive tatimore që kanë bizneset e zonës, por edhe detyrimin për të regjistruar punonjësit. Pjesa tjetër ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shërbimet që afrohen në territor nga sipërmarrjet tuaja, sidomos në një peridhë ku turizmi është kthyer në furnizuesin kryesor ekonomik të zonës. Thjesht për informacionin tuaj, këtë vit të gjitha shifrat tregojnë që turizmi është në një rritje me dy shifra, qoftë në aspektin e kontributit në ekonomi, qoftë në numrat e turizmit. Unë shpresoj dhe besoj që edhe ju këtu, në Himarë apo në Dhërmi, ta keni ndjerë të gjithë atë lëvizje të turizmit. Sfida e madhe është që gjithë këtë kërkesë ta furnizojmë me shërbimet e duhura. Këtu patjetër që ka rëndësinë e vetë edhe kualifikimi profesional i punonjësve që ju merrni në punë, që nga kuzhinierët, që nga kamarierët, apo të gjithë profesionet e tjera që po i referohem si profesione teknike, që në finale hyn tek gjithë gama e shërbimeve për të kënaqur të gjithë prurjet që ka turizmi në zonën e Himarë-Dhërmiut”,-tha Ahmetaj.
Ministri tha se administrata tatimore dhe strukturat e hetimit janë fokusuar në zonat bregdetare ndërsa kërkoi ndërgjegjësimin e bizneseve për përmbushjen e përgjegjësive tatimore, duke i ftuar njëkohësisht të denoncojnë cdo rast të mungesës së etikës profesionale dhe abuzimit nga ana e inspektorëve. “Nga infrastruktua e nga të gjitha këto jemi të kënaqur sepse qeveria aktuale bëri shumë për Dhërmiun. Mbi të gjitha jemi të kënaqur për shërbimet që na bëjnë dhe për sjelljen që na bëjnë punonjësit tuaj të hetimit tatimor, ose taksave. Më përpara ne more mik, kur vinin njëri turrej tek piceria të merrte sëpatën dhe tjetri kopaçen, se vinin si kafshë dhe jo si njerëz. Tani, nga shërbimi jemi të kënaqur dhe ne jemi civilizuar që ky ujë duhet shitur me kupon tatimor. Pse? Sepse aty brenda është edhe një lekë fitimi ynë, edhe i joti. I kemi të ndara punët”,-tha një sipërmarrës nga Dhërmiu.
Ndër çështjet e tjera të ngritura me interes nga sipërmarrja ishin nevojat për më shumë investime nga Bashkia në infrastrukturën dytësore, ndriçimin, kanalizimet e ujërave të zeza, menaxhimin e mbetjeve, sistemimin e parkimeve. Ahmetaj tha se qeveria qendrore, do të investojë rreth 250 milionë lekë për infrastrukturën në zonat turistike.
”Është një projekt shumë i madh rreth 74 milion dollarë që vjen nga Banka Botërore, që po investohet në Unazën e Jugut, ku përfshihet gjithë kjo zonë. Projekti tjetër është projekti i Bankës Botërore, po me të njëjtën logjikë, por me këto rrugët që i quajmë rajonale, rrugë dytësore. Pra, jo rrugët kryesore, por rrugët dytësore. Ka dhe një projekt tjetër po në të njëjtën paketë, që është midis BERZH-it dhe Komisionit Europian, 60 milion euro është kredi dhe 40 milion euro është grant që na e jep Komisioni Europian po për të njëjtën gjë. Paketa e gjithë shkon tek 250 milion euro”.
Ministri Ahmetaj tha se brenda qeverisë po diskutohet gjithashtu propozimi që nga viti i ardhshën të ketë një fond parapërgatitor për bashkitë, për turizmin, për shërbime që fillojnë nga pastrimi e ndricçmi deri tek nevojat e infrastrukturës së vogël.