Home KRYESORE Arrestohet në Shijak anëtari i bandës së Shullazit, kërkohej prej…

Arrestohet në Shijak anëtari i bandës së Shullazit, kërkohej prej…

Policia e Shijakut arrestoi dje një 48- vjeçar, i cili sipas të dhënave rezulton se ishte pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.

Arben Haxhihyseni, banues në Elbasan, ishte shpallur në kërkim prej vitit 2015. Ai fshihej prej disa kohësh në qytetin e Shijakut, por pak ditë më parë u zbulua vendndodhja e tij. Uniformat blu organizuan menjëherë operacionin për arrestimin e të kërkuarit, i cili duke qenë pjesë e bandës së Shullazit, dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku është dhunuar dhe gjobitur një biznesmen kafeje.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar atë me rreth 6 vite burg, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim”, ndërsa Gjykata e Elbasanit e kishte dënuar atë me 1 vit e 10 muaj për një vrasje.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një pune të mirëorganizuar nga ana e Specialistëve për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Arben Haxhihyseni, 48 vjeç, banues në Elbasan. Haxhihyseni, në vitin 2014 është shpallur në kërkim, pasi është dënuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar në nenin 76 të Kodit Penal.

Në vitin 2017 (shpallur në kërkim), Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 6 vite burg për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim”, parashikuar në nenin 109/b të Kodit Penal. Arben Haxhihyseni është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan për ekzekutimin e vendimeve penale”, thuhej në njoftimin e dhënë dje nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, e cila ka në juridiksionin e saj Komisariatin e Shijakut, ku edhe u arrestua i kërkuari.

VRASJA NE ELBASAN

Arben Haxhihyseni është një personazh i njohur për Policinë dhe drejtësinë shqiptare. Krahas ngjarjeve të freskëta, ai akuzohet për një vrasje të ndodhur në Elbasan 15 vite më parë. Në vitin 2003, Arben Haxhihyseni akuzohet se ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatarin e tij. Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur për motive banale në një lokal në Elbasan. Asokohe, 35-vjeçar, Arben Haxhihyseni u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim nga Policia. Haxhihyseni, në vitin 2014 është shpallur në kërkim për këtë ngjarje, pasi është dënuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg për veprën penale “Vrasja”. / Panorama (Leonidha Musaj)

Share: