Mediat belge shkruanin se “mafiozi” i shumëkërkuar fshihej në Shkodër dhe se kërkohej për rrëmbim personash dhe drogë. Bëhet fjalë për Safet Rustemin (Bajri), i cili ka thyer dje heshtjen, duke folur për herë të parë përmes një interviste për “Report TV”, dhënë gazetarit Artan Hoxha.
Bajri gjatë ditëve të fundit është kthyer në një “mollë sherri” mes qeverisë belge dhe opozitës, ndërsa media e ka cilësuar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.
Rustemi tregon se si lindën problemet me drejtësinë belge, për dërgimin në Shqipëri dhe se si u përdor emri tij në luftën e brendshme politike nga ish-kryeministri Berisha.
Më poshtë intervista e Bajrit, me shkurtime
Kur keni shkuar në Belgjikë dhe për çfarë keni shkuar?
Në Belgjikë kam shkuar në vitin 2010. Kam kërkuar azil, i cili m’u refuzua dhe mbeta si emigrant, si gjithë të tjerët. Në Belgjikë kam punuar si roje në një lokal, me shokët, në Bruksel. Aty pastaj kanë arrestuar pronarin e lokalit, mua dhe gjithë të tjerët, për konflikt interesash që kishte pronari me persona të tjerë dhe me lokale të tjera të lojërave të fatit. Më kanë bërë një dosje me të cilën unë nuk kisha fare lidhje. Nuk kishin se ç’të bënin tjetër. Unë isha vetëm roje se punoja në të zezë, pa letra. Nuk kishin asnjë lloj akuze për mua dhe më quajtën organizator. Më falsifikuan dosjen sepse i kam përgatitur të gjitha letrat në Shqipëri, për të dalë përpara drejtësisë. Jam i hapur.
Kur jeni ndaluar për herë të parë?
Jam ndaluar më 2 tetor të vitit 2014.
Jeni ndaluar në objektin ku punonit apo në banesë?
Jam ndaluar në rrugë. Më kanë mbajtur rreth 15 muaj brenda. Më kanë liruar pasi kam paguar 25000 euro, herën e parë, pasi kam lënë kredi bankare. Më lanë të lirë. Kam vazhduar gjyqet dhe nuk i jam larguar shtetit belg. Kam shkuar për çdo gjyq.
Është gjetur ndonjë element tjetër, ndonjë send tjetër në banesë, p.sh. armë?
Asgjë. Asnjë send tjetër.
Herën e parë që keni qëndruar i ndaluar në burg, jeni dënuar? Si ka qenë dënimi nga shteti belg?
Më lanë të lirë, pastaj meqë më liruan, më kanë dënuar 9 vjet. Më lanë të lirë, veçse më morën lekët. Më kanë lëtë të lirë meqë u falsifikua dosja. U deklarua edhe në medien belge që dosja ishte falsifikuar. Kaloi policia në procedim penal. Arsyeja ishte se të njëjtët policë punonin roje te lokaket e lojërave të fatit. Atje është mbretëri dhe policia federale është në varësi të mbretërisë dhe nuk pyet askënd. Dhe kështu u përqendruan te ne. Gjatë kësaj kohe më dënuan mua, më dënuan vëllanë, kisha vëllanë tjetër në Shqipëri, pa qenë kurrë në Belgjikë, 9 vjet burg në Shqipëri e kanë dënuar në Belgjikë me 6 vjet burg. Pa qenë kurrë në Belgjikë sepse është vëllai i madh.
Kur ju ndaluan për herë të dytë, për çfarë akuze?
Tre muaj më parë kishin kapur një person me rreth 500 gramë drogë. Pas 3 muajve më arrestuan mua dhe më thanë për drogë. Më thanë që kishin kapur një person 3 muaj para dhe që droga ishte e imja. U thashë: “Kush ju tha që ishte e imja? Kam ndonjë telefonatë, ndonjë shenjë gishti apo flet vetë personi për këtë?”. M’u përgjigjën: “Jo. Ne dyshojmë se është e jotja”. Më futën në burg dhe më mbajtën 8 muaj. Më morën përsëri edhe 20000 euro të tjera që të më lironin. Në total shkuan 45 mijë euro. Avokati deklaroi në gjykatë dhe në media se do të ankohej te “Të drejtat e Njeriut”. Më liruan, më prenë biletën e avionit, më hipën në avion dhe më kthyen në Shqipëri. Tani më kanë dënuar në mungesë. Flet parlamenti belg, flet ministri i Drejtësisë i Belgjikës. Pse nuk foli në kohën kur u falsifikua dosja dhe më arrestuan? Apo se jam shqiptar?
Ju kanë shoqëruar me polici nga banesa apo prej burgut?
Me polici më kanë çuar në Lilë të Francës. Nga Franca më kanë kthyer. U kërkova autoriteteve të burgut, u thashë që nuk isha për ekstradim sepse do të paraqitesha në gjyq. U thashë që nuk mund të më kthenin në Shqipëri sepse gjykata më kërkonte që të paraqitesha në gjyq. Nuk mund t’i shmangesha drejtësisë edhe pse vetë e dija qëisha i pafajshëm. Edhe një herë tjetër më kishin liruar dhe unë nuk i isha shmangur drejtësisë. Ata më thanë që ishte marrë vendimi për të më kthyer në Shqipëri. Më vunë 15 vjet ekspuls, më kthyen për në Shqipëri, paskan vazhduar gjyqet dhe më kanë dënuar sipas qejfit të tyre.
Kur zbritët në Rinas, policia shqiptare ju ka ndaluar? Kishit dokumente me vete?
Kam pasur letrat e burgut. Ka bërë verifikimin policia shqiptare. Jam i pastër. Nuk kam pasur probleme me policinë shqiptare asnjëherë.
Nga momenti që keni ardhur në Shqipëri, më 14 qershor të vitit 2017 dhe deri sot, keni lëvizur lirisht në Shqipëri?
Gjithkund.
A jeni vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare, nga Prokuroria apo nga Policia e Shtetit që ndaj jush ka ndonjë akuzë për ndonjë vepër penale ose ka ndonjë dënim?
Jo, jo, asnjëherë. Asnjë lloj informacioni. As më ka lajmëruar kush. Vetëm kur e kam parë në media. Nuk ka pasur as fletë-thirrje.
Nga kontakti që keni pasur me avokatin tuaj në Belgjikë, kur jeni vënë në dijeni që në adresën tuaj është dhënë një dënim nga gjykata belge.
Jam vënë në dijeni meqë ishte dhënë dënimi. Nuk e mbaj mend se në çfarë date, por mund të ketë rreth një muaj para.
Dënimi kur është dhënë? Në momentin që jeni larguar ju? Ju jeni larguar në qershor të vitit 2017?
Dënimi është dhënë rreth 7-8 muaj më pas. Pra në vitin 2018.
Keni komunikuar me avokatin? Çfarë ju ka thënë në lidhje me procesin?
Më ka thënë që më kanë dënuar. S’ka marrë më pjesë avokati sepse mua ata më kthyen dhe më thanë që nuk ke më punë këtu.
Keni pasur ndonjë njoftim ju nga gjykata belge që duhet të paraqiteni në proces?
Jo, asgjë. Nuk kam pasur asnjë lloj njoftimi. Po të kisha pasur njoftim do të isha munduar të shkoja, pavarësisht se e kam të ndaluar të lëviz në të gjithë Evropën, prej Belgjikës sepse më kanë vënë 15 vjet ekspuls. Edhe avokati s’ka pasur as njoftim dhe as dosjen time.
E keni apeluar dënimin nëpërmjet avokatit?
Jo, jo sepse jam dënuar në mungesë dhe jam dënuar pa avokat. S’kam pasur se si ta apeloj.
Gjatë kësaj kohe, emri juaj është përmendur shumë sidomos nga mediat belge dhe pastaj edhe nga mediat shqiptare. jeni vënë në dijeni në lidhje me këto?
Po, i kam lexuar. Kam komunikuar edhe me avokatin. Nuk e kuptoj se për çfarë hyn politika tek unë. Çfarë lidhje ka politika me mua?
Ju jeni akuzuar nga mediat belge dhe shqiptare si bos mafioz, pjesëtar i një organizate mafioze me aktivitet të madh në veri të Shqipërisë, ndërkohë i akuzuar në Belgjikë në lidhje me trafik narkotikësh, përdorim i armëve të zjarrit, vrasje, zhdukje personash, që kontrolloni në Shqipëri një pjesë të madhe të plazhit të Velipojës, që është plazhi më i madh në veriperëndim të Shqipërisë. Po ashtu akuzoheni se jeni një person me mbështetje shumë të madhe në Shkodër dhe se keni ndihmuar Partisë Socialiste që të fitonte në zgjedhjet e vitit 2017. Rreth gjithë këtyre, ku e shikoni veten, ku dhe sa jeni i përfshirë?
Për sa i përket plazheve është fare e thjeshtë dhe është diçka që verifikohet. Unë nuk kam asnjë lloj plazhi. Nuk kam asnjë lloj prone dhe këtë mund ta verifikoni në bashki. Jam beqar. Emri im nuk figuron me asnjë biznes. Me peshkun kam punuar shumë sepse kam një rezervuar, sa për të jetuar.
Unë përfaqësoj vetveten. Me mbiemrin Bajri ka shumë njerëz në Shkodër. Nuk është vetëm familja ime. Por te familja ime Bajri, unë përfaqësoj veten time. Familja ime nuk ka asnjë lloj problemi me shtetin, asnjë nga pjesëtarët e familjes sime. Ne nuk kemi asnjë lidhje me politikën. Unë s’kam qenë pjesë e zgjedhjeve dhe nuk kam ndihmuar Luan Arushën, siç thonë. Luan Arushënm e kam fqinj në lagje, por nuk kam asnjë lloj komunikimi me këtë person. Kam qenë në Belgjikë dhe nuk jam përfshirë në zgjedhje. Kur u ktheva qëndrova në Tiranë.
Po në zgjedhjet e mëparshme, cilën forcë politike keni mbështetur?
Në vitin 2013 jam marrë me zgjedhjet dhe kam qenë vëzhgues i përgjithshëm në zonën e rrethinave. Kam qenë për Partinë Demokratike dhe kam mbështetur Bardh Spahinë.
Keni votuar?
Po, sigurisht. Kam qenë vëzhgues i përgjithshëm në të gjitha qendrat e votimit.
Jeni paguar?
Jo, e kam bërë vullnetarisht sepse bindja ime politike ka qenë Partia Demokratike.
Po në zgjedhjet e tjera?
Nuk jam përzier më me politikë dhe as nuk dua të përzihem më.
Në fushatën e vitit 2013 kush ju ka kontaktuar që të ishit vëzhgues? Cili nga përfaqësuesit e PD-së?
Bardh Spahia.
Po më pas keni mbajtur kontakte shoqërore apo njerëzore?
Jo, nuk kemi pasur më kontakte. Unë ika jashtë shtetit.
E keni takuar ndonjëherë kryeministrin e vendit ose ish-kryeministrin Berisha? Keni qenë në ndonjë miting apo e keni mbështetur në fushatë?
Asnjëherë.
Po automjet në emrin tuaj sepse kam parë një deklaratë të ish-kryeministrit që publikonte disa automjete për të cilat thoshte se ishin prona juaj?
S’kam asnjë lloj automjeti. Ku t’i marr?
Ndërkohë ju thatë që deri tani nuk ju ka thirrur kush dhe se nuk i jeni shmangur drejtësisë. Si do të reagonit nëse ju vjen një ftesë e tillë?
Jam i gatshëm dhe është diçka që unë vetë e kërkoj një orë e më parë që të bëhet, që të ballafaqohem me këtë gjë sepse unë e di që jam dënuar duke qenë krejt i pafajshëm. Belgjika është mbretëri dhe Belgjika më dënoi vetëm se jam shqiptar. Atje racizmi është në maksimum. Belgjika nga jashtë duket si një vend demokrat, por unë e kam provuar vetë drejtësinë belge, ku asnjëherë nuk jam dënuar për një fakt, por vetëm për mendimin e tyre sepse ata kanë menduar se unë jam i aftë për ta bërë këtë gjë.
I kërkoj drejtësisë shqiptare që t’ia kërkojë dosjen Belgjikës dhe të mos kem më punë me belgët. Drejtësia shqiptare duhet të kërkojë dosjen time dhe le të më dënojë pastaj. Në rast se unë e meritoj, le të më dënojë. Belgjika më dënoi me dosje të falsifikuar, më mori lekë, më liroi, më ktheu në Shqipëri, lekët nuk m’i kthen, më kërkon prapë, më dënon në mungesë. Tani përmenden dy njerëz të humbur në një kohë që unë kam qenë në burg atje.
Pra në kohën që ekzistojnë të zhdukur ata dy persona?
S’ka lidhje fare. Unë kam qenë në burg në Belgjikë. Kjo bëhet si e si të fryhet media. Çohet e flet politika. Për mua nuk ka më drejtësi atje.