Home KRYESORE Qeveria propozon kandidatët për në Gjykatën e Strasburgut, ja emrat…

Qeveria propozon kandidatët për në Gjykatën e Strasburgut, ja emrat…

Qeveria shqitpare ka bërë publike 3 kandidatët për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual. Tre kandidiatët janë gjyqtarët Darian Pavli, Marjana Semini dhe Sokol Berberi.

Sipas njoftimit të qeverisë të tre emrat u përzgjodhën nga komisioni ad-hoc mes 16 aplikantëve. Komisioni bëri vlerësimet për çdo kandidat bazuar në një sistem pikëzimi prej 100 pikësh në total, më një përkatësi prej 30 pikësh për dosjen e çdo aplikanti dhe 70 pikësh për intervistën.

Lista me tre kandidatët u dërgua për konsultim, mbi përshtatshmërinë e kandidatëve, pranë Panelit Këshillues të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kjo listë i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejshme.

Kush janë tre kandidatët?

Darian Pavli – jurist me 15 vjet përvojë në disenjimin, koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që promovojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Nju-Jork, Tiranë (Open Society Justice Initiative, Human Rights Ëatch), përfshirë rajonin e Këshillit të Evropës, ekspert ligjor pranë EURALIUS V, këshilltar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar i Reformës në Drejtësi, përfaqësim të disa çështjeve në GJEDNJ.

Marjana Semini – juriste me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës; mbajtëse e titullit “Profesor i asociuar”, profesore e brendshme në Shkollën e Magjistraturës për 20 vjet dhe drejtore e saj (2009-2013), eksperte e lartë e Komisionit të Reformës Ligjore, si dhe e organizatave të huaja (USAID, BB, UNESCO, BERZH etj.), specializime për të drejtat e njeriut, autore dhe bashkautore e disa botimeve.

Sokol Berberi – jurist me përvojë të spikatur në fushën e së drejtës, anëtar i Gjykatës Kushtetuese (prill 2007 – shtator 2016), mbajtës i titullit “Doktor”, profesor në disa disiplina të së drejtës, kontribuues në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut etj.

Share: