Ky është kabineti i ri qeveritar i Turqisë. Për të parën herë që prej rënies së perandorisë osmane, kryetar i ekzekutivit do të jetë njëherësh presidenti, Recep Tayyip Erdoğan, i cili merr edhe kompetencat e Kryeministrit.
16 janë ministrat e rinj, ku vetëm 4 vijnë nga karrierë politike, ndërsa të tjerët janë teknokratë ose emra të botës së biznesit me një të përbashkët, të gjithë janë besnikë të Erdoğan.
Bie në sy emërimi në krye të Financave dhe Thesarit, i dhëndrit të tij Berat Albajrak. Do të jetë njeriu më i afërt i presidentit që do të trajtojë krizën e monedhës kombëtare Lira, që muajt e fundit ka pësuar rënie drastike, çka tregon edhe brishtësinë e ekonomisë turke.
Praktikisht, me ndryshimet kushtetuese do të jetë ai që do të emërojë kreun e Bankës Qendrore dhe anëtarët e saj, ndërsa në krye të Mbrojtjes Kombëtare, Erdoğan caktoi gjeneralin Yasar Guller, deri dje shefi i Shtabit të Ushtrisë.
Mediat e huaja, por edhe ato vendase nuk e fshehin rrezikun e zhytjes së Turqisë në një diktaturë fashiste. Erdoğan është në aleancë të pathyeshme me nacionalistët e Devlet Baçeliut, shkruan shtypi turk, duke rrezikuar thellimin e shtypjes ndaj kurdëve dhe minorancave kombëtare. “Sulltani i shekullit të 21” e quan Deutsche Welle, duke theksuar se kompetencat e reja i japin pushtet Erdoğan-it mbi të gjitha institucionet.
Pavarësisht përpjekjeve për ta krahasuar Republikën e re Rresidenciale me sistemin francez dhe amerikan, dallimet janë të theksuara. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti nuk e shpërndan dot Kongresin, ndërsa në Francë i përcakton parlamenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Këto fuqi i ka Recep Tayyip Erdoğan. Pikërisht këto i japin pushtet mbi të gjitha institucionet.
/Tv Klan