Parlamenti i Turqisë miratoi një ligj për sigurinë, që u jep autoriteteve kompetenca të gjera, pasi gjendja e jashtëzakonshme, e vënë pas përpjekjes për puç në korrik të vitit 2016, ka marrë fund javën e kaluar.
Ligji është hartuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe do të jetë i vlefshëm për tre vjet.
Ai parasheh mënyra për të shkarkuar gjyqtarë, pjesëtarë të ushtrisë dhe punonjës të ministrive.
Guvernatorët e provincave mbajnë disa kompetenca emergjente, të tilla si kufizimi i lirisë së tubimit.
Gjendja e jashtëzakonshme, e cila është vënë pak ditë pas përpjekjes për grushtshtet ushtarak më 15 korrik, 2016, përfundoi më 19 korrik, pasi qeveria nuk e zgjati atë.
Opozita e cilësoi ligjin e ri si mënyrë për ta bërë “gjendjen e jashtëzakonshme të përhershme”.
Partia e Erdoganit dhe aleatët e saj të ekstremit të djathtë nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste siguruan shumicën parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar, gjë që u mundësoi atyre të kalonin masën pa probleme.
REL