Home I pakategorizuar U votua projektligji për shëmbjen e Teatrit Kombëtar

U votua projektligji për shëmbjen e Teatrit Kombëtar

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me 75 vota të maxhorancës projektligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërtimin e teatrit të ri dhe kullat që do të kompensojnë investimin e kompanisë private.

Ky projektligj ishte pika 5 e rendit të ditës: Projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Nëpërmjet këtij ligji, iu dha fund njërës prej çështjeve më të debatuara në opinionin publik në muajt e fundit.

Artistët dhe shoqëria civile organizoi një sërë protestash gjatë javëve të fundit për të mbrojtur ndërtesën e ndërtuar në vitet ’40.

“Ky projektligj parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, i cili është pjesë e ansamblit historik monumental të qendrës së Tiranës dhe symbol i identitetit kombëtar, si edhe kalimin e mbi 8000 m2 truall publik në pronësi të firmës Fusha.shpk e cila autorizohet të ndërtojë aty kulla shumëkatëshe”, thuhet në thirrjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit .

Aleanca e konsideroi një projektligj të tillë në kundërshtim me Kushtetutën dhe një seri ligjesh të tjera të Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme u realizuan një sërë protestash përpara hyrjes së Kuvendit, me moton: “JO VJEDHJES! JO SHKATËRRIMIT!”

Opozita e bashkuar iu bashkua protestës së qytetarëve dhe artistëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha, një ditë më parë, iu bashkua protestës qytetare pranë Teatrit Kombëtar dhe premtoi se opozita do të jetë në krah të artistëve dhe qytetarëve deri në fund.

Opozita ka denoncuar më herët shembjen e godinës historike dhe ndërtimin në truall publik të disa kullave nga një kompani private, duke e konsideruar proces korruptimi me një përfitim prej mbi 200 milionë eurosh./Opinion.al/

Share: